Maqedoni

Fillimi i vitit shkollor, MASh optimist: Problemet tejkalohen, jo bojkot

30.09.2020 18:09

691 shkolla fillore e të mesme fillojnë zyrtarisht të enjten vitin e ri shkollor, në kushte pandemie...

691 shkolla fillore e të mesme fillojnë zyrtarisht të enjten vitin e ri shkollor, në kushte pandemie, me protokolle të rrepta mbrojtëse në shkollat ku mësimi do të mbahet me prani fizike e me punë shtesë edhe në ditën e fundit për rregullimin e rrjetit të internetit, për shumicën e nxënësve që duhet të mësojnë online.
 
MASh është i bindur se procesi do të fillojë me sukses. Janë optimist edhe se problemet me platformën do të tejkalohen në kohë. Ministrja Carovska thotë se nëse fëmijët nuk kanë mjete në shtëpi për të ndjekur mësimin online, mund të vijnë në klasa, por në një numër minimal.
 
"Të gjithë fëmijët që nuk kanë pajisje, kompjuterë ose për ndonjë arsye nuk mund të ndjekin mësimet në internet, mund ta ndjekin atë nga klasa. Nëse nuk munden ose prindërit kanë vendosur të mos shkojnë në klasë, të gjithë do të pajisen me materialin e nevojshëm të shtypur për të studiuar në shtëpi.”,- tha ministrja e Arsimit Dhe Shkencës, Mila Carovska.
 
Grupi që krijoi platformën arsyeton ndërkohë problemet me të cilat po përballen përdoruesit e saj me faktin se ajo u krijua në kushte pandemie me synimin që të shërbejë edhe në të ardhmen.
 
“Do të bëjmë ndryshime, duhet të shohim ku kemi gabuar, sepse kemi një problem kompleks për të zgjidhur dhe ta përmirësojmë atë në përputhje me rrethanat që platforma të zë vendin e merituar në procesin arsimor.”,- theksoi prodekani në Finki, Boro Jakimovski.
 
Nga MASh megjithatë janë të prerë. Mësimi online është i imponuar nga rrethanat, por bojkot të tij nuk duhet të ketë. Thotë se ekspertët sollën vendim për mësim në kushte të tilla, për të mbrojtur fëmijët.
 
“Kjo nuk do ti sjell mire askujt. Ju bëj thirrje prindërve që të respektojnë vendimin që është sjell nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, sepse jam i bindur që ekspertët kanë zgjedhur mënyrën më të mirë për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Ne jemi në këtë gjendje jo sepse ne duam por sepse jemi të detyruar.”,- u shpreh zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani.
 
E derisa prindërit ankohen se nuk kanë mjete të mjaftueshme që të gjithë fëmijët të ndjekin mësimin online, Ministrja Carovska ju rikujton se dhe për ta ka alternativë.
 
Prej 1 tetori, çdo ditë shkolle në TVM 2 dhe në kanalet e tjera të Servisit Publik, do të emetohet EDUINO, pra përmbajtjet e platformës online sipas plan-programit të përcaktuar të shkollave, për njësitë mësimore deri në klasën e 9.
 
Ministrja Carovska përkujton se  ky instrument i rëndësishëm alternative,  përdoret edhe në shtetet e tjera për fëmijët të cilët nuk kanë qasje në internet.
 
SANIJE DURAKU