Maqedoni

Ash-Alternativa: Platforma dështoi që gjatë testimit. Pajisjet për mësim online t’i sigurojë Qeveria

30.09.2020 19:27

Një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, opozita shqiptare doli me kritika për mënyrën...

Një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, opozita shqiptare doli me kritika për mënyrën e organizimit të mësimit online. Lëshimet e shumta të platformës do të rëndojnë punën e mësimdhënësve e të nxënësve, thonë nga ASH-Alternativa.
 
“MASH dhe Byroja për Arsim nuk ishin të përgatitur në aspekt teknik dhe metodat për të zhvilluar një arsim në distancë. MASh thotë se platforma është duke u testuar, paramendoni një ditë përpara ende platforma testohet. Mësimdhënësit edhe sot ballafaqohen me problemet në kyçjen në platformë.”,- deklaroi Hazir Aliu nga ASh–Alternativa.
 
Sipas tyre, familjet, sidomos ato shqiptare, nuk e përballojnë dot mësimin online dhe kompjuterët, lap-topët apo smart-fonët, me karakteristikat që kërkon platforma. Bënë publike edhe propozimet konkrete për MASH-in që përfshijnë edhe ndihmën për familjet që nuk kanë mundësi ekonomike.
 
“Familjet me të ardhura minimale të jenë pjesë e masave qeveritare dhe të mbështeten me fonde për blerjen e IT pajisjeve dhe infrastrukturës së përshtatshme për mësimin në distance. Të blihen me urgjencë lap-top për secilin mësues, mikrofona, tableta grafike dhe një paketë të përshtatshme interneti për mësimin normal dhe të standardizuar në distancë.”,- theksoi Hazir Aliu nga ASh–Alternativa.
 
Gjithashtu kërkojnë edhe protokolle të qarta për notim të kombinuar dhe fonde shtesë për mësuesit që do të mbajnë mësim fizik e qe do të jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve. 
 
FITIM KRYEZIU