Botë

Putin dhe Makron, apel për armëpushim në Nagorni-Karabak

01.10.2020 12:40

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron...

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, bënë thirrje për armëpushim midis forcave të Azerbajxhanit dhe atyre armene, të cilat janë duke luftuar rreth rajonit të kontestueshëm të Nagorno Karabakut. Kremlini njoftoi se dy presidentët diskutuan përmes telefonit përpjekjet diplomatike për të shtensionuar situatën.
 
“Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron u bëjnë thirrje palëve luftuese që të zbatojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, të ulin tensionet dhe të tregojnë përmbajtje maksimale”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
 
Luftimet në Nagorno Karabak - më të rëndat në vitet e fundit - kanë nisur fundjavën e kaluar. Më shumë se 100 njerëz janë raportuar të vrarë. Zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, Nagorno Karabaku qeveriset nga armenët etnikë. Dy republikat sovjetike kanë zhvilluar një luftë për territorin më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë. Armenët etnikë që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë prej 150,000 banorësh, kundërshtojnë të jenë pjesë e Azerbajxhanit. Më ndihmën e Armenisë, ata qeverisin vetë qysh kur trupat ushtarake azere u dëbuan nga ky territor në luftën e viteve të 90-ta.
 
Një armëpushim ishte arritur në vitin 1994, por të paktën 200 njerëz u vranë në shpërthimin e dhunës në vitin 2016. Rajoni i Nagorno Karabakut mbijeton pothuajse plotësisht nga mbështetja buxhetore nga Armenia dhe donacionet nga diaspora armene.