Maqedoni
Hapja e kufijve, Zaev: Vendimi, varësisht gjendjes shëndetësore
01.10.2020 15:43
Vendimi për hapjen e kufijve do të bazohet në gjendjen shëndetësore të qytetarëve me pandeminë...

Vendimi për hapjen e kufijve do të bazohet në gjendjen shëndetësore të qytetarëve me pandeminë, aspekti ekonomik është në rend të dytë edhe pse mjaft i rëndësishëm, vlerëson kryeministri, Zoran Zaev. Sipas kreut të ekzekutivit, vendimin do ta marrë Komisioni i Shëndetësisë pas përfundimit të konsultimeve të ministrave të shëndetësisë të rajonit.
“Komisioni i shëndetësisë do të vendosë përfundimisht apo do të japë rekomandim se a do të duhet të hapen kufijtë që të kemi kalim të tyre me ose pa test PCR. Kishte argumentim se për çfarë duhet të kihet kujdes dhe cila do të ishte përparësia nëse hapen kufijtë. Edhe më tej duhet të jemi të kujdesshëm në të dyja aspektet: shëndetësor dhe ekonomik, të dy të rëndësishëm, por më me rëndësi është shëndeti i qytetarëve.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Grubi: Vendimi merret brenda javës
Edhe zëvendëskryeministri, Artan Grubi, thotë se brenda qeverisë ekziston qasje pozitive për të hapur kufijtë dhe vendimi do të merret brenda javës.
“Mesa na njoftoi edhe ministri i shëndetësisë, Mali i Zi është pro qasjes rajonale të hapjes së kufijve, Kosova është pro, Shqipëria është pro, pro është edhe Maqedonia e Veriut, ishim në pritje të përgjigjes nga Serbia dhe Bullgaria, në mënyrë që t’i hapim kufijtë me një qasje rajonale dhe të përbashkët.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Sllovenia hapi kufijtë për shtetasit e Maqedonisë të cilët do të duhet të posedojnë test negativ PCR jo më të vjetër se 48 orë. Nga testi PCR do të përjashtohen personat që do të kenë kontakt vetëm me familjarët e tyre për 72 orë, si dhe fëmijët nën moshën 14 vjet të cilët udhëtojnë me person të afërt të familjes të cilët kanë test negativ.
MERAL ISMAILI
