Maqedoni

Konfirmimi i gjendjes së jashtëzakonshme, Zaev: Deklarimet e opozitës, të papërgjegjshme

01.10.2020 16:41

Paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për të mos votuar për konfirmimin e gjendjes së jashtëzakonshme përfaqësuesit e pushtetit...

Paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për të mos votuar për konfirmimin e gjendjes së jashtëzakonshme përfaqësuesit e pushtetit e kanë cilësuar si të  papërgjegjshëm dhe për të ardhur keq. Kryeministri, Zoran Zaev, vlerëson se sistemi e parashikon zgjidhjen dhe se kthim mbrapa nuk ka teksa zëvendëskryeministri, Artan Grubi, shton se vetë opozita në qeverinë teknike ka marrë pjesë në sjelljen e të gjitha vendimeve të qeverisë dhe duhet t’i konfirmojë.
 
“Mickoski vraponte pas meje që si lider i partisë më të madhe në pushtet të kërkojë gjendje të jashtëzakonshme, por është në rregull nuk është e rëndësishme kush e ka kërkuar. E kemi kërkuar bashkërisht pushtet e opozitë, presidenti Pendarovski na ka dëgjuar. Shpallja e fundit prej 7 ditësh ishte me kërkesë të opozitës për shkak të zgjedhjeve, sepse nuk kishte mënyrë se si të organizohen datat në përputhje me Ligjin për Mbajtjen e Zgjedhjeve dhe tani deklarata se nuk do të votohet për gjendjen e jashtëzakonshme vërtet është e papërgjegjshme.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Grubi: Opozita ka marrë pjesë në sjelljen e vendimeve
 
“Në ato vendime të qeverisë ka marrë pjesë edhe opozita dhe asnjë prej tyre nuk e ka kundërshtuar, andaj pres që atë vendim që e kanë pasur në qeveri ta konfirmojnë edhe në Kuvend.”,- tha zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
 
VMRO-DPMNE: U shpenzuan para për fitime personale
 
Gjendja e jashtëzakonshme u përdor vetëm për përfitime personale, akuzoi VMRO-DPMNE. 
 
“Në kulmin e pandemisë, kur të gjithë bënë thirrje, edhe partitë politike edhe VMRO-DPMNE, edhe qytetarët, por edhe të gjitha kompanitë e tjera, kompanitë për të punuar drejt trajtimit të krizës ekonomike dhe shëndetësore që po na ndodhte,  Zoran Zaev në vend të  kësaj me ekipin e tij dhe me shoqëruesit e tij shpenzuan para joproduktive, para të mëdha të qytetarëve. Në tërë atë periudhë u shpenzuan një miliard euro.”,- theksoi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
 
Seanca plenare, ku duhet të konfirmohen vendimet e presidentit, Stevo Pendarovski, për shpalljen  e gjendjes së jashtëzakonshme, është shtyrë pa afat. 
 
NAIM RAMADANI