Maqedoni
Filipçe porosi nxënësve: Virusi s’është shaka, mbroni veten e të afërmit
01.10.2020 16:56
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, u porositi nxënësve të bëjnë kujdes në këtë periudhë...

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, u porositi nxënësve të bëjnë kujdes në këtë periudhë, për të mbrojtur veten dhe të afërmit. Arsyetoi mënyrën aktuale të mësimit me kujdesin për shëndetin e fëmijëve, e porositi se moskthimi i masave varet nga sjellja e të gjithëve.
“Të dashur fëmijë, virusi nuk është shaka. Ndoshta për ju është më pak i rrezikshëm, por është shumë më i rrezikshëm për prindërit, gjyshërit tuaj. Respektoni rekomandimet, dëgjoni mësuesit dhe mbroni shëndetin e të gjithëve. Unë besoj në pjekurinë dhe përgjegjësinë tuaj. Ju mund të jeni shembull për të rriturit dhe për të gjithë shoqërinë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Covid-19, 4 viktima, 162 të infektuar e 109 të shëruar
Teksa Filipçe porositi për kujdes, shifrat Covid mbeten të larta. Gjatë 24 orëve betejën me virusin e humbën 4 persona, tre nga Shkupi 55, 80 dhe 81 vjeçar si dhe një tjetër 81 vjeçar nga Shtipi. U regjistruan 162 raste të reja pozitive, ku Shkupi kryeson me 75 raste, Kumanova - 13, Tetova - 13, Koçan - 12, Strumicë - 10 dhe qytete tjera me më pak se 10 raste të reja. Janë shëruar 109 persona. Numri i rasteve aktive është 2.327.
LEUNORA KALIQI
