Maqedoni
Viti i ri shkollor, bojkot dhe protestë në Luboten të Shkupit
01.10.2020 17:52
Edhe pse Sh. F. “Liman Kaba” në Luboten nuk ka leje për mësim me prani fizike...

Edhe pse Sh. F. “Liman Kaba” në Luboten nuk ka leje për mësim me prani fizike, Këshilli i Prindërve ka vendosur që fëmijët të mësojnë fizikisht në klasa, edhe nëse kjo do të thotë dënim për prindërit.
Ata bojkotuan ditën e parë të mësimit online. Shkolla as ditën e parë të mësimit nuk kishte qasje në internet. Prindërit ankohen se nuk kanë lap-top apo kompjuter në shtëpi.
“Vendimi është që nga dita e nesërme çdo prind është i obliguar që të marrë fëmijën e vet dhe ta sjellë në klasë. Vendimi i ministres Carovska për ne si Shkollë Fillore “Liman Kaba” nuk do të vlejë për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe jo që nuk dëshirojmë.”,- tha kryetari i Bashkësisë Lokale – Luboten, Rexhep Imeri.
“Kolegët që janë të angazhuar në mësimin online prej orës 8 kërkojnë qasje në rrjet të internetit, asnjë nuk mundet të kyçet dhe paramendoni se si do të vazhdojë më tej.”,- theksoi arsimtari, Sherafedin Abduramani.
“Prej 375 nxënësve, ndoshta 15 nxënës kanë lap-top apo telefona, të tjerët ndoshta edhe internet nuk kanë në shtëpi për arsye se 70% e këtyre nxënësve janë raste sociale.”,- u shpreh një prind.
“Personalisht i kam 4 fëmijë. Nuk kam kushte që t’u blejë llap-top që të katërt të kyçen online.”,- theksoi një prind.
