Maqedoni
Bisedimet e RMV-së me BE-në, Rot: Jam optimist se mund të nisin në fund të vitit. Dimitrov: Besoj në fuqinë politike të Gjermanisë
01.10.2020 18:32
Ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot, është optimist se RMV do të mund t’i fillojë bisedimet...

Ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot, është optimist se RMV do të mund t’i fillojë bisedimet aderuese në fund të vitit. Në takim me zëvendëskryeministrin për euro-integrime, Nikolla Dimitrov, në Berlin, Rot ka siguruar se edhe në konkluzat e Këshillit për Punë të Përgjithshme është konstatuar se gjërat ecin si duhet, andaj pret që bisedimet në suaza të BE-së të përmbyllen me marrëveshje pozitive.
“Me krenari them se planifikojmë të fillojmë me organizimin e konferencës së parë ndër-qeveritare dhe t’i fillojmë bisedimet me RMV-në. Jemi optimistë se mund t’i fillojmë bisedimet përafërsisht para fundit të kryesimit tonë. Për momentin kemi diskutime të frytshme dhe pozitive me vendet tjera të BE-së, e cila duhet të përfundojë me marrëveshje në kuadër të kornizës për fillimin e negociatave.”,- tha ministri i shtetit për Evropë, Mihael Rot.
Pas vendimit të KE-së të muajit mars, RMV pret edhe vendimin për fillimin e bisedimeve, ka deklaruar zëvendëskryeministri për euro-integrime, Nikola Dimitrov. Beson në fuqinë politike gjermane që kjo të ndodhë në muajin dhjetor.
“Viti 2020, përskaj të gjitha sfidave, do të mbahet mend edhe si vit kur RMV, partnerët dhe bashkëpunëtorët e saj kanë arsye pse të festojnë. Për mbyllje të suksesshme të vitit, pas vendimit të muajit mars, nevojitet edhe një vendim i rëndësishëm, i cili do të hapte rrugën drejt realizimit të qëllimit të dytë strategjik - anëtarësim të plotë në BE.”,- theksoi zëvendëskryeministri për euro-integrime, Nikolla Dimitrov.
Bashkëbiseduesit në takim kanë theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit në kontekst të bashkëpunimit rajonal, si platformë e cila mund të kontribuojë për drejtimin e të gjitha iniciativave rajonale dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjen e rajonit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
