Maqedoni
Carovska: Paralajmërimi për bojkot, jokonstruktivitet
02.10.2020 15:32
Paralajmërimet për bojkot të mësimit janë mënyrë jokonstruktive dhe të dëmshme për tejkalim të kësaj situate...

Paralajmërimet për bojkot të mësimit janë mënyrë jokonstruktive dhe të dëmshme për tejkalim të kësaj situate të imponuar nga pandemia, vlerëson ministrja e arsimit Milla Carovska. Sipas saj qytetarët duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të mos vënë në rrezik jetën e tyre. Ajo thotë se në vend ka komision i cili ndjek gjendjen epidemiologjike dhe çdo veprim në kundërshtim me këtë do të vinte në rrezik luftën ndaj pandemisë Covid-19.
“Secili prej nesh është i përgjegjshëm për shëndetin publik. E dimë se shkelja e shëndetit publik si e drejtë për shëndet, është një sfidë e madhe. Për atë nëse dikush në mënyre të drejtpërdrejtë dhe të vetëdijshme e rrezikon shëndetin e tjetrit, atëherë kemi shkelje të ligjit dhe shkelje të Kushtetutës. Secili nga ne duhet të përballet në mënyrë konstruktive me këtë epidemik. Komisionet epidemiologjike nuk vendosin në bazë të dëshirës, por në bazë të argumenteve.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.
Këto komente Carovska i dha gjatë vizitës së Shkollës Fillore “Petar Zdravskovski-Penko” në komunën e Butelit, ku konstatoi se janë siguruar kushtet teknike edhe për mësimin online edhe për pjesën e mësimit me prani fizike.
Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres së arsimit, Carovska, për shkak të siç thuhet menaxhimit të dobët dhe të pasuksesshëm të fillimit të vitit shkollor.
“Keni më shumë se 80 mijë nxënës që nuk kanë kushte për ndjekje të mësimit online, kurse ju ofroni video 15 minutëshe nga orët mësimore para ekraneve të vogla të Servisit Publik. Thoni se kjo për momentin është zgjidhja e vetme. Jo, kjo është vetëm arsyetim. Kemi bojkot në më shumë se 7 qytete. Pa nevojë na bindni, thoni se pjesa më e madhe e shkollave në shtet ka filluar mësimin online. Çfarë është puna me shkollat tjera të cilat fare nuk filluan.”,- theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO thonë se ministrja Carovska duhet të ndërpresë me arsyetimet e kota dhe të panevojshme, pasi edhe nxënësit dhe prindërit po e thonë të kundërtën.
ERSAN PAJAZITI
