Maqedoni

Rasti “Regjistrimi”, Ahmeti dëshmoi në Prokurori

02.10.2020 16:09

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dëshmoi në Prokurorinë Publike lidhur me rastin “Regjistrimi”....

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dëshmoi në Prokurorinë Publike lidhur me rastin “Regjistrimi”, përkatësisht rreth asaj se pse u ndërpre procesi i filluar i numërimit të popullsisë në vitin 2011. Dëshmia e Ahmetit ishte paralajmëruar për në orën 10, por me kërkesë të tij, Ahmeti dëshmoi rreth orës 08:30 të mëngjesit.
 
Para prokurores Fatime Fetai ai ka dëshmuar për rreth një orë, ndërsa u është shmangur mediave, duke lëshuar ndërtesën e Prokurorisë nga garazhi. Rasti ndodhet në faze hetimore, ndërsa hetimi për këtë rast u hap nga Prokuroria Speciale më 21 mars të vitit 2018 dhe përveç Ahmetit për dështimin e qëllimshëm të regjistrimit dyshohet edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në arrati.
 
Informacionet fillestare të PSP-së asokohe ishin se me ndërprerjen e operacionit të regjistrimit, është shkaktuar dëm në buxhet prej 2.8 milion eurosh. Regjistrimi u organizua gjatë bashkëqeverisjes VMRO-BDI dhe vetëm pesë ditë para përfundimit të tij, ai u ndërpre pas dorëheqjes së të gjithë anëtarëve të Komisionit të Regjistrimit, pasi vlerësuan se për shkak të mangësive në procedurë, do të fitoheshin të dhëna irelevante. Derisa heton rastin për dështimin e regjistrimit në vitin 2011, Qeveria aktuale ka paralajmëruar regjistrim të ri të popullsisë në prill të vitit të ardhshëm. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI