Maqedoni

"Target-Fortesa", dëshmuan dy të përgjuar

02.10.2020 16:38

Gazetarja, Meri Jordanovska-Çançaareviq, dhe drejtori, Igor Ivanov, dëshmuan si viktima në seancën dëgjimore në lëndën "Target-Fortresa"...

Gazetarja, Meri Jordanovska-Çançaareviq, dhe drejtori, Igor Ivanov, dëshmuan si viktima në seancën dëgjimore në lëndën "Target-Fortresa", e cila i referohet përgjimeve masive në vend në periudhën 2008-2015. Jordanovska-Çançareviq tha se ajo zbuloi se ishte përgjuar kur asaj iu dha dosja me një pjesë të bisedave të saj, në një konferencë shtypi të LSDM.
 
Në periudhën nga 2008 deri në 2010 kam punuar në televizionin A1, ndërsa nga 2010 në 2015 në gazetën dhe të përjavshmen "Fokus". 
 
“Deri tek PSP nuk kam paraqitur kërkesë nëse numri i telefonit tim ishte përgjuar. Por, unë u informova nga prokurorja, Lençe Ristovska, se numri im është në listë”,- tha gazetarja, Meri Jordanovska-Çancareviq. 
 
Nga ana tjetër, regjisori Ivanov tha se ishte i befasuar që u thirr si dëshmitar, duke pasur parasysh që PSP nuk i është përgjigjur më parë nëse ai ishte përgjuar apo jo. Duke shpjeguar arsyet pse ai paraqiti kërkesa për konfirmim nëse ishte përgjuar në mënyrë të paligjshme, ai tha se në periudhën 2008-2015, emri i tij u shfaq në publik në një kontekst negativ. 
 
“Deri më tani nuk kam marrë ndonjë përgjigje dhe kjo thirrje më befasoi. Unë u thirra në gjykatë si dëshmitar.” - tha Ivanov.
 
Në këtë seancë kanë dëshmuar edhe dy ish punonjës në DSK në sektorin e logjistikës të cilët kanë marrë pjesë në shkatërrimin e pajisjeve për përgjim gjatë vitit 2014 dhe 2015 në Vollkovë dhe Gjorçe Petrov.
 
Të akuzuar në këtë proces janë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe disa ish të punësuar në DSK të cilët ngarkohen për veprën përgjim të paligjshëm për rreth 4 mijë numra telefoni në periudhën 2008-2015. Seanca radhës është caktuar për më 8 tetor.
 
GAZMEND REXHEPI