Maqedoni

Antikorrupsioni: 12 deputetë s’kanë dorëzuar listat anketuese

02.10.2020 16:50

12 deputetë të përbërjes së kaluar parlamentare nuk kanë dorëzuar listë anketuese pas përfundimit të mandatit....

12 deputetë të përbërjes së kaluar parlamentare nuk kanë dorëzuar listë anketuese pas përfundimit të mandatit, ndërkaq 6 deputetë kanë dorëzuar me vonesë. Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, paralajmëroi procedurë kundërvajtëse për këta deputetë. Sipas Ligjit për Parandalim të Korrupsionit, funksionarët do të duhet të dorëzojnë lista anketuese për gjendjen pronësore 30 ditë pas përfundimit të mandatit. Dënimi sipas ligjit është 300 deri në 500 euro.
 
“Për të gjithë këta deputetë që nuk kanë dorëzuar apo me vonesë kanë dorëzuar listë anketuese do të ngrihen veprime që janë pjesë e procedurës kundërvajtëse.”,- u shpreh kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.
 
Antikorrupsioni: Të ndryshohet e drejta e shfrytëzimit të apanazhit
 
Antikorrupsioni ka konstatuar edhe keqpërdorime në shfrytëzimin e apanazheve pas përfundimit të mandatit si dhe shkelje në shfrytëzimin e kartelave biznesore dhe veturave zyrtare. Antikorrupsionarët kërkojnë përpilim të rregullave të përgjithshme për shfrytëzimin e resurseve buxhetore.
 
“Të shkruhen dhe miratohen akte dhe rregulla të përgjithshme me të cilat do të rregullohet shfrytëzimi i të gjitha këtyre shpenzimeve. Do të kërkojmë nga Agjencia për Qasje të Lirë deri tek informacionet të dalë në terren dhe të konstatojë zbatim të Ligjit për Qasje tek informatat me karakter publik, ku janë të nënvizuara gjitha aktet të cilat një institucion do të duhet t’i publikojë në ueb faqen e saj.”,- tha anëtarja e Antikorrupsionit, Katica Nikollovska.
 
Komisioni Antikorrupsion deri tek organet kompetente do të dorëzojë iniciativë për ndryshim të rregullativës ligjore për pagesë të apanazheve, një vit pasi funksionarëve t’u përfundojë mandati. Në periudhën 2014-2018 gjithsej 107 të përzgjedhur në qeveri dhe kuvend kanë shfrytëzuar apanazh, e cila shtetin i ka kushtuar mbi 1 milion e 800 mijë euro.
 
MERAL ISMAILI