Maqedoni
Covid-19, 6 viktima, 225 raste të reja e 96 të shëruar
02.10.2020 17:09
Autoritetet shëndetësore në vend kanë njoftuar për gjashtë viktima të reja nga virusi Korona...

Autoritetet shëndetësore në vend kanë njoftuar për gjashtë viktima të reja nga virusi Korona, 225 të infektuar dhe 96 të shëruar në 24 orët e fundit.
Të dhënat i referohen testimit të 1.694 mostrave në gjithë vendin. Sipas të dhënave të publikuara, tre nga viktimat janë nga Shkupi, të moshës 63, 71 dhe 83 vjeç dhe nga një në qytetet e Tetovës, Prilepit dhe Manastirit.
Sa i përket të infektuarve, numri më i madh është regjistruar në Shkup, gjithsej 96 persona, në Tetovë janë shënuar 15 raste, në Koçan 17, Strumicë 11, ndërsa numër më i vogël në 20 qytete.
Numri i përgjithshëm me Covid-19 arrin në 18.363 persona, prej të cilëve 15.164 janë shëruar, ndërsa i viktimave ka arritur në 749, ndërsa aktiv janë edhe 2.450 persona.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Komisioni i Sëmundjeve Infektive po shqyrton situatën pas rritjes së rasteve të të infektuarve me koronavirus.
Autoritetet kanë bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, ndërsa kanë paralajmëruar se në rast të nevojës mund të vendosen masave kufizuese, si vendosja e maskave në hapësirat publike, kufizim të udhëtarëve në transportin publik dhe në restorante dhe lokale tjera.
REJHANE BUSHI METAJ
