Botë

ShBA, presidenti Trump u prek nga Kovid-19

02.10.2020 20:35

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka simptoma të lehta të virusit korona...

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka simptoma të lehta të virusit korona, bën të ditur shefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mark Meadows.

"Populli amerikan mund të jetë i sigurt se ne kemi një president që është në detyrë dhe do të vazhdojë të jetë në detyrë. Unë jam optimist se ai do të ketë një shërim shumë të shpejtë", tha Meadows.

Edhe vet presidenti Trump, tha se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.

“Unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me COVID-19. Do të nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, shkroi Trump në Twitter, në orët e para të së premtes, sipas kohës lokale.

Zonja e Parë, Melania, gjithashtu përmes një postimi në Twitter tha se ka "simptoma të lehta” dhe se në përgjithësi "po ndjehet mirë".

Mjeku i Trumpit, Sean Conley, tha se presidenti dhe Zonja e Parë janë "mirë aktualisht" dhe se "ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi, brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë rimëkëmbjes së tyre".

“Pres që presidenti të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit dhe unë do t'ju mbaj të informuar për çdo zhvillim në të ardhmen," tha Conley.

Edhe Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.