Haraçinë, kërkohet mësim me prani fizike, kushte ka, pak kyçje në platformë
Dy ditët e para të vitit të ri shkollor, sollën problemet e para....

Dy ditët e para të vitit të ri shkollor, sollën problemet e para. Në shumë komuna u bojkotua mësimi online, shumë shkolla vendosën të mos dëgjojnë vendimet e ministrisë së resorit, por t’i kthejnë nxënësit në klasë me prani fizike, pasi pretentojnë se i plotësojnë kushtet.
Kushtet thotë se i plotëson edhe shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në komunën e Haraqinës . Ajo ka dy objekte, njëri shfrytëzohet për klasat nga e para në të tretën, tjetri aktualisht nuk shfrytëzohet.
Drejtori i shkollës Azam Aki, thotë për “TVM2” se shkolla e re plotëson padyshim kushtet për mësim me prani fizike, e nëse nuk jepet leje për të gjitha klasat, kërkon të paktën që në bankat në objektin që aktualisht është i zbrazur, të kthehen nxënësit e klasës së 4 dhe të 5 .
Edhe numri i nxënësve të kyçur në platformën online në këtë komunë, është i vogël si pasojë e kushteve ekonomike.
“Objektin te shkolla e re, ne e kemi të lirë. Të paktën këto klasa ta shfrytëzojnë me prani fizike. Problem më i madh është te mësimi online. Kërkesa e prindërve është se nuk kanë kushte, sepse shumica e kujdestarëve të klasës kur futen online, nuk kycen shumë nxënës në orë, vetëm 1 apo 2 për shkak se nuk kanë mjete komjuterike” – u shpreh Drejtori i SH.F “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” – Haraçinë, Azam Aki.
Mësimdhënësit: Mësimi “online” nuk jep rezultate
Arsimtarët që përpiqen t’u ligjërojnë online atyre nxënësve që kyçen në platformë, thonë se ajo që në fillim dështoi .Problem paraqet sipas mësuesve, edhe puna në grupe me orar të shkurtuar.
“Mjetet teknike nuk mund t’i zëvendësojnë ato klasike sepse një gjë e shikume është më e vlefshme se një gjë e dëgjume.Vlerësimi asesi nuk mundë të jetë real sespe vetë prezentimi i matrialeve nuk është i duhur. Nuk jemi në gjendje që të kërkojmë maksimumin e njohurive” – deklaroi Sali Haskaj, mësimëdhënës i lëndës së Fizikës.
“Ne për shkak të virusit, punojme me grupe. Orari i shkurtuar është problem pak por me kalimin e kohës, shpresojmë që ky problem të zgjidhet” – tha mësuesja Elif Ramadani.
Prindërit: Fëmijët në shkollë, nuk kemi kompjutera
Ndërkohë prindërit këmbëngulin që nxënësit të mësojnë me prani fizike.
“Ne nuk kemi kushte që fëmija të mësojnë online sepse duhet të kenë kompjutera, dhe ne për këtë arsye duam që fëmijët tanë të mësojnë me prezencë fizike”.
“Në Gjermani me 22 milion banorë kanë filluar shkollat, ndërsa këta me 2 milion popull, ja në çfarë gjendje mësojnë. Këta me maska në klasë”.
“Shkolla tjetër ka kushte më të mira se sa këtu. Mund të them se këtu kushtet janë pak më të dobëta. Për fëmijët e vegjël” – thanë disa nga prindërit e intervistuar nga gazetarja e TVM2.
Në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” numri i përgjithshëm i nxënësve është 2025 . Komuna e Haraqinës ka dy shkolla periferike në Orllanc dhe Mojanc dhe 2 shkolla në fshatin Haraqinë. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
