Futboll
Në Grupin F, Barcelona dhe Paris Saint Germain duelojnë në distancë për vendin e parë.
05.11.2014 14:49
Një tjetër raund në Champions League për të vendosur fatin e rrugës që do të ndjekin disa prej skuadrave në kompeticionin më madhor të kontinentit...

Bayerni i Mynihut pret Romën për të zyrtarizuar kualifikimin në 1/8-at, pas suksesit historik 7-1 dy javë më parë në kryeqytetin italian. Ekipi i Pep Guardiolës numëron 9 pikë në 3 ndeshje, por ajo që ka rëndësi më shumë për kampionët e Gjermanisë është shëndeti i plotë që gëzojnë në prag të kësaj sfide.
Në sfidën tjetër, Manchester City e ka të detyruar suksesin nëse dëshiron të vazhdojë rrugën për më tej.
Barazimi 2-2 në Moskë mund të rezultojë fatal për kampionët e Anglisë, të cilët vazhdojnë të vuajnë nga sindroma Champions. Me 2 pikë në 3 ndeshje “Citizens” janë futur në një rrugë qorre nga e cila mund të dalin vetëm nëse rikthehen te fitoret.
Në Grupin F, Barcelona dhe Paris Saint Germain duelojnë në distancë për vendin e parë. Katalanasit që aktualisht mbajnë vendin e dytë me 6 pikë synojnë të përsërisin suksesin ndaj Ajaxit që vazhdon të qëndrojë në lojë edhe pse me 4 pikë më pak se rivalët.
Nga ana tjetër, parizienët kanë në letër një test më të lehtë pasi presin në “Parc de Princes” APOEL Nicosian, skuadër që i krijoi jo pak probleme në sfidën e Qipros.
Në grupin G, Chelsea shënjestron suksesin e radhës pasi do të vizitojë Mariborin e Agim Ibraimit, të cilët e kanë arritur objektivin e tyre duke marrë pjesë në fazën e grupeve, ndërsa Sportingu i Lisbonës pret Schalken në një tjetër 90 minutësh të zjarrtë pas humbjes së pamerituar të portugezëve në Genselkirchen.
Një tjetër grup i hapur është edhe ai H ku Porto kryesuese duhet të testojë fuqinë në “San Mames” ku Athletic Bilbao synon të regjistrojë suksesin e parë në grup. Në sfidën tjetër, Shakhtar Donetsk pret BATE Borisov për një 3 pikësh të lehtë në letër pas suksesit 7-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Bjellorusi.
Futbolli evropian nxjerr në vitrinë më të mëdhenjtë e kontinentit, ndërsa TVM2 si përherë mundëson transmetimin e sfidave më të rëndësishme, ku sonte do të mund të ndiqni takimin mes Bajernit dhe Romës.
