Zvogëlimi i ndotjes së ajrit, Osmani: Përgjegjësia mbi komunat, të marin masa
Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), Maqedonia e Veriut....

Ndotja e ajrit, e njohur ndryshe edhe si vrasësi i heshtur është fenomen me të cilin ballafaqohen të gjitha shtetet e globit, madje edhe ato më të zhvilluarat. Por sipas ambientalistëve, vendet e Ballkanit rradhiten ndër vendet më të ndotura në botë dhe duhet urgjentisht të aplikojnë masat për luftimin e ndotjes së ajrit duke ndjekur shtetet e zhvilluara.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera në rajon vazhdimisht tregojnë rezultate të dobëta në analizën për pasojat nga ndotja mbi shëndetin e qytetarëve.
Ambentalistët alarmojnë se duhen marë masa urgjente. Përmirësim i transportit publik, përmirësim i prodhimit ekzistues të naftës dhe gazit, përmirësim i efikasitetit të minierave ekzistuese të qymyrit, zëvendësimi i lëngjeve të ftohta, këto janë disa nga masat qe duhet të aplikohen në bendin tonë, thotë ambientalisti Afrim Osmani për “TVM2”.
Ai u apelon autoriteteve të marrin shembuj nga vendet që tashmë kanë ndërmarë masa konkrete për të zvogëluar ndotjen. Sipas tij , për të luftuar ndotjen e ajrit, përgjegjësia më e madhe megjithatë, bie mbi komunat.
“Të ndiqet shembulli i Parisit në luftimin e ndotjes së ajrit. Parisi mori vendim që i tërë transporti publik të jetë falas në luftën kundër ndotjes së ajrit, edhe atë për 10 vitet e ardhshme. Kohëve të fundit edhe Bullgaria mori vendimin e shumë pritur lidhur me ndotjen e ajrit. Çështja e ndotjes së ajrit, është çështje që u takon kryetarëve të komunave. Andaj, për çdo tejkalim të kufijve të ndotjes së ajrit, përgjegjësia do të bie në supet e kryetarëve të komunave.Të respektohen standardet më të rrepta të emetimit të CO2, që i miratoj këshilli i ministrave të BE-së për mjedis jetësor” – tha ambientalisti Afrim Osmani.
Në fund të listës së Agjencisë Evropiane të Mjedisit, sa i përket vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit, gjendet Shqipëria që regjistron 172 raste të vdekjes në 100 mijë banorë. Maqedonia e Veriut, ndodhet e 8 nga fundi me 120 raste të vdekjeve në 100 mijë banorë.
Më keq se vendi ynë janë Rumania, Bullgaria, Hungaria, Mali i Zi dhe Letonia. Nga 37 vende në listë, 28 janë nga BE, pesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe 4 vende nga Rajoni Ekonomik Evropian. Për Kosovën nuk ka asnjë të dhënë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
