Maqedoni

Dënimet, arsimtarët “shtrëngojnë” notat

05.11.2014 14:53

Dënimet e arsimtarëve pas rezultateve të testimit ekstern kanë vënë në lëvizje shkollat...

Këshillat e shkollave veç më kanë dërguar ankesat e tyre për tërheqjen e dënimeve të arsimtarëve deri tek MASH-i, Prokuroria Publike dhe SASHK-u dhe janë në pritje të përgjigjeve nga këto institucione.
 
Por, dënimet e mësuesve kanë ndikuar në një tjetër aspekt.
 
Arsimtarët janë stimuluar nga këto dënime që t’i vlerësojnë objektivisht nxënësit dhe të mos i fryjnë notat, praktikë kjo që ka qenë tejet prezente në të kaluarën.
 
Drejtuesit e shkollave presin që pas dënimeve, tani e tutje vlerësimet të jenë reale. 
 
“Sigurisht që tani arsimtarët e kanë kuptuar që nuk guxojnë t’i fryjnë notat dhe jo të jenë rigoroz, por të realët në notimin e nxënësve, sepse notat nuk jepen falas,  por meritohen dhe vërtetohen nga testi ekstern”- deklaroi drejtori i Shkollës Fillore “LIRIA”, Talat Sadiku.
 
Arsimtarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar nga dënimet e larta, që sipas tyre, nuk korrespondojnë me standardin ekonomik, por edhe ata pajtohen që tani e tutje do të kenë shumë më kujdes me notimin e nxënësve.
 
“12 muaj nga 3000 denarë janë shumë, sepse rrogat nuk janë aq të mëdha në shtetin tonë. Patjetër që do të jemi të kujdesshëm, gjithkush do të dënohet apo do të vlerësohet, askujt nuk do t’i rritet nota apo t’i zvogëlohet”- tha arsimtarja, Luljeta Idrizi Elshani.
 
Nxënësit ankohen se testimi u shkakton stres, pasi gjatë tërë vitit ata duhet të jenë të përgatitur për të gjitha lëndët. Nga ana tjetër edhe ata e kanë vërejtur se  arsimtarët janë më rigoroz në kërkesat e tyre.
 
“Pas gjërave që ndodhën, ndoshta janë pak më të rreptë dhe kërkojnë dituri, aktivitete, sivjet janë më të realët dhe kërkojnë më shumë nga ne”- u shpreh një nxënëse.
 
“Arsimtarët tash janë më të rreptë, se normal frikohen mos të dënohen dhe vënë nota reale”- tha një nxënës.
 
Kohë më parë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, tha se sistemi i shpërblimit dhe dënimit të mësimdhënësve do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti shkollor, për shkak se ligji është në fuqi, por për më tej do të vendoset  bashkërisht. 
 
Nga ana tjetër, Sindikata e Arsimit kërkon, veç tjerash, ndryshimin me ligj të testit ekstern, të cilin e vlerëson si mbingarkesë për arsimtarët.
 
FLUTURA LATIFI