Maqedoni
Ekspertët: Të jemi më seriozë në zbatimin e reformave
05.11.2014 14:57
Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Maqedoninë, do të duhet që të zbresin nga kategoria populiste...

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Maqedoninë, do të duhet që të zbresin nga kategoria populiste, si veçori që garanton mbledhjen e votave në zbatimin e reformave konkrete dhe aplikimin e politikave publike të Bashkimit Evropian.
Vetëm në këtë mënyrë vendet që aspirojnë integrimin në Unionin Evropian mund të ia arrijnë qëllimit dhe t’i afrojnë më shumë vendet e tyre drejt Brukselit, tha profesori universitar, Veton Latifi, gjatë një konference shkencore kushtuar zbatimit të politikave aktuale të Bashkimit Evropian.
“Një nivel i aksionit reformues apo i kërkesave dhe hapave të reformimit duhet të zbresë sidomos për RM-në, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nga kategoria e populizmit, për të grumbulluar sa më shumë vota, për të ruajtur pushtetin në kategorinë e reformave konkrete, në fushën e politikave konkrete për anëtarësim në BE”- deklaroi profesori universitar, Veton Latifi.
Që nuk mjafton vetëm angazhimi retorik dhe se vendi po ngec në përmbushjen e detyrave të shtëpisë, kështu vlerëson edhe profesori, Abdulla Azizi.
“Leksionet të cilat duhet t’i nxjerrim si rezultat i vërejtjeve, ne nuk jemi duke i trajtuar si duhet, pra nuk ndërmarrim aksione dhe veprime me të cilat ne do të bëjmë përmirësime të dukshme në shoqërinë tonë, ku do të mund të përafrojmë standardet e nevojshme. Pra, flasim për një tërësi të standardeve, lista e të cilave është shumë e gjatë dhe në këtë drejtim duket se jo me seriozitet i trajtojmë vërejtjet, të cilat na vijnë nga ana e KE-së”- tha profesori universitar, Abdulla Azizi.
Nga ana tjetër, profesori, Goran Iliq, vlerëson se përmbushja e kritereve të Kopenhagës nuk është projekt i caktuar, por përbën një proces të cilin po e ndjek vendi.
“Definitivisht secila nga vendet që ka aplikuar të jetë anëtare e BE-së përpiqet që t’i përmbushë kriteret e Kopenhagës. Nuk ka një shkallë të caktuar matëse në bazë të së cilës do të shihnim secili shtet me çfarë kapaciteti i ka përmbushur ato. Ideja e BE-së është se në kontinuitet duhet të përmbushet diçka dhe kjo nuk ka fund. Për këtë arsye quhet edhe proces dhe jo projekt, sepse nuk përfundon”- u shpreh profesori universitar, Goran Iliq.
Sa u përket vërejtjeve të fundit në Raport-progresin e KE-së, Iliq thotë se të gjitha ato do të tejkaloheshin po të zgjidhej problemi me emrin.
Ndryshe, konferencën e organizoi Fondacioni “Konrad Adenauer” në bashkëpunim me Qendrën për Studime Evropiane nga Brukseli dhe Institutin Shkencor “Max Van der Shtul” pranë Universitetit të Evropës Juglindore.
NAIM RAMADANI
