Botë
Jerusalem, përplasje të ashpra në Haram Al Sharif
05.11.2014 15:03
Apelet për qetësi dhe vetëpërmbajtje të shefit të ekzekutivit izraelit, Benjamin Netaniahu, nuk arritën të shmangin përflakjen e situatës në Jerusalem...

Apelet për qetësi dhe vetëpërmbajtje të shefit të ekzekutivit izraelit, Benjamin Netaniahu, nuk arritën të shmangin përflakjen e situatës në Jerusalem, ku përleshje të reja raportohen mes protestuesve palestinezë dhe policëve izraelitë.
Skenë e përplasjeve të dhunshme është bërë sërish “Mali i Tempullit”. Vendi i shenjtë u mbyll përkohësisht për vizitorët, por edhe pse u hap përsëri, pakënaqësitë nuk u zbehën. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës, e cila qëllonte me gurë.
Tensionet në zonë u përshkallëzuan pas një tentative vrasjeje ndaj aktivistit të njohur hebre, rabinit Jehuda Glik dhe mbylljes së “Malit të Tempullit”, vendi më i shenjtë i Judaizmit, i cili strehon dhe vendin e tretë më të shenjtë të fesë islame, xhaminë “Al-Aksa”.
Dhjetëra demonstrues të maskuar kanë nisur të qëllojnë mëngjesin e sotëm me gurë e fishekzjarre rojet e sigurisë, në hyrje të zonës.
Policët arritën ta shpërndajnë turmën me bomba tymuese, por nuk pati asnjë arrestim. Nga incidenti, disa prej tyre mbetën të plagosur.
Në total, numri i të lënduarve është rreth 20. Mbyllja e atij që palestinezët e njohin si Haram al Sharif, javën e kaluar ishte diçka tepër e rrallë dhe presidenti, Mahmud Abaz, arriti deri aty sa ta cilësonte “një deklaratë për luftë”.
“Mali i Tempullit” menaxhohet prej myslimanëve që nga koha e kryqëzatave, ndërsa Izraeli, i cili e mban të pushtuar Jerusalemin Lindor që prej vitit 1967, kontrollon hyrjen në kompleks.
LEUNORA KALIQI
