Maqedoni
Filloi akomodimi i studentëve në konvikte
05.10.2020 14:46
Studentët kanë filluar të akomodohen nëpër konviktet studentore...

Studentët kanë filluar të akomodohen nëpër konviktet studentore, ndërsa interesimi më i madh ishte për konviktin “Goce Delçev”, pasi katër blloqet e këtij konvikti janë të rinovuar. Megjithatë këtë vit numri i studentëve para konvikteve ishte më i vogël se vitin e kaluar. Sipas protokolleve, numri i studentëve nëpër dhoma të konvikteve është zvogëluar, sepse në një dhomë ku kanë mundur të qëndrojnë 2 studentë, tani, sipas protokolleve, do të duhet të vendoset vetëm një student. Studentët e anketuar thonë se ata ndjehen më të sigurt nëpër konviktet studentore se sa në banesa apo dhoma private.
“Me siguri do të jemi vetëm nëpër dhoma, sepse nëpër ndërtesa ku kam dashur të marr banesë, higjiena nuk ishte në nivelin e duhur ashtu si në konviktet studentore.”,- u shpreh një studente.
“Këtu është më i sigurt se sa në një banesë private. Jam i njoftuar me protokollet, ne jemi këtu dhe duhet t’i respektojmë ato protokolle të gjithë së bashku. Shpresoj se të gjithë së bashku do t’ia dalim.”,- tha një student.
Vendosja në konvikte sipas protokolleve
Për konviktet e studentëve në Shkup, kapaciteti sipas protokollit është 2,080 shtretër, por gjithsej janë pranuar 1,614 studentë, që do të thotë se ende ka vende të lira. Çmimi mujor për akomodimin dhe ushqimin për një studentë varion prej 3,100 deri në 3,300 denarë.
REJHANE BUSHI METAJ
