Maqedoni

Intelektualët bullgarë, kundër memorandumit për RVM-në

05.10.2020 14:53

Rreth 30 historian, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike nga Bullgaria...

Rreth 30 historian, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike nga Bullgaria janë kundër qëndrimeve zyrtare të Qeverisë së tyre sa i përket Maqedonisë së Veriut. Ata janë deklaruar kundër Memorandumit që Sofja ua ka dërguar vendeve të BE-së, ku janë shfaqur linja të kuqe në rrugën e Shkupit drejt BE-së. Ata insistojnë në “ndryshime fondamentale të paradigmës në mendimin historik”, duke shkruar se nuk pajtohen që “RMV-ja të prezantohet vetëm si vend që nuk përballet me të kaluarën personale”. Sipas tyre, edhe pretendimet për histori të përbashkët deri në 44-ën e interpretuar në mënyrë të njëanshme si bullgare është jobindëse. Sipas tyre, Sofja demonstron botëkuptime të vjetruara dhe shfaq pohime të paqëndrueshme dhe naive kundër RMV-së. 
 
Zaev: Identiteti është vetëpërcaktim, nuk pritet bllokim i integrimeve nga Bullgaria
 
Por, edhe përkundër memorandumit kryeministri, Zoran Zaev, me një ton të kujdesshëm thotë se çështja e identitetit dhe gjuhës maqedonase është e mbyllur. 
 
“Besoj se bisedimet, dokumentet dhe përpjekjet e ambiciet janë dëshira të kuptueshme që të gjendet zgjidhje e përbashkët për pjesëmarrjen përbashkët të Goce Dellçevit. Asessi nuk pres që të kemi pengesa në atë pjesë sepse definitivisht nga fillimi e deri më sot, Bullgaria është njëri nga mbështetësit më të madh të RVM-së në integrimet në BE. Populli bullgar ka dëshirë ta ndihmojë popullin maqedonas, ndërsa populli maqedonas dëshiron të jetë miqësor me popullin bullgar. Prandaj edhe vetë politikanët dhe institucionet do të lëvizin sipas dëshirës për miqësi dhe bashkëpunim më të madh.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Qeveria bullgare dërgoi deri te vendet anëtare të BE-së memorandum në të cilin insistojnë që në kornizën e bisedimeve për RVM-në të përfshihen edhe miqësitë e mira, ndërsa kërcënon se do të bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare. Ata pretendojnë se gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se kombi është një krijim i Jugosllavisë komuniste. 
 
SANIJE DURAKU