Maqedoni
Carovska: Bojkotojnë një numër i vogël nxënësish
05.10.2020 15:31
Vetëm një numër i vogël i nxënësve po e bojkotojnë mësimin online...

Vetëm një numër i vogël i nxënësve po e bojkotojnë mësimin online, thotë ministrja e arsimit, Milla Carovska. Ajo sërish përsëriti qëndrimin se bojkoti nuk është zgjidhje.
“Bojkot kemi nga një numër i vogël nxënësish. Në Dibër u tejkalua situata, kishte deklaratë nga vet drejtori. E njëjta po ndodh edhe në shkollat tjera, te një numër i vogël i nxënësve të cilët po përshtaten me ndryshimin. Ky është një proces i vështirë të cilin po e kalojmë të gjithë së bashku, edhe arsimtarët edhe nxënësit, edhe prindërit edhe qeveria. Me bojkot nuk do të arrijmë asgjë. Ajo është mënyrë jokonstruktive e shprehjes së pakënaqësisë, që në esencë është pakënaqësi nga ndryshimet, por ndryshimet ndodhin për çdo ditë për çështje të ndryshme. Tani po përballemi me pandemi dhe patjetër të përshtatemi.”,- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Dita Ndërkombëtare e Mësimdhënësve - “Me bashkëpunim, drejt arsimit më cilësor”
Këtë prononcim ministrja e Arsimit i bëri në Ditën Ndërkombëtare të Mësimdhënësve. Ajo përgëzoi mësimdhënësit për guximin që kanë për t’u përballur me realitetin që shkaktoi kriza shëndetësore dhe siguroi se me një bashkëpunim të mëtejmë rruga drejt një arsimi më cilësor do të jetë më e lehtë.
“Kemi obligim dhe borxh që të krijojmë kushte për arsimim më të mirë, por vetëm me ju mësimdhënës ne do të jemi një hap para në realizimin e këtij qëllimi. Këtyre ditëve, ju e dëshmuat këtë se jemi në rrugën e drejtë.”,- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Edhe mësimdhënësit pranojnë se janë nën presion të ndryshimeve, por kërkojnë mirëkuptim për arritjen e cilësisë.
“Ftoj gjithë pjesëmarrësit në shoqëri të tregojnë respekt, mbështetje, mirëkuptim, bashkëpunim dhe durim ndaj ndryshimeve në arsim dhe më së shumti kuadri arsimor, që të mund arsimtarët me sukses të bëjnë punën.”,- theksoi mësimdhënësja, Aleksandra Bllazhevska.
Nga UNICEF -i thonë se arsimi në vend është përballur me probleme edhe para shfaqjes së pandemisë, ku gjysma e nxënësve s’kanë pasur mundësi të përmbushin kërkesat për njohuri bazike të matematikës apo shkrimit.
“Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në procesin arsimorë, por faktori më i rëndësishëm për suksesin e nxënësve janë arsimtarët dhe motivimi i tyre. vetëm nëpërmjet arsimtarëve të motivuar, nxënësit mund të mësojnë.”,- u shpreh përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricija Di Xhovani.
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, kërkoi mirëkuptim dhe kontribuim si nga shkollat, por edhe nxënësit që një vit i tillë shkollor të mos përsëritet më.
“Në këtë situatë të gjithë do të duhet të jemi solidarë dhe të tregojmë mirëkuptim në gjithë këtë proces. E rëndësishme është që të gjithë t’u përmbahemi masave mbrojtëse që më lehtë ta kalojmë këtë vit shkollor dhe të kujdesemi që si i tillë të mbetet i vetëm dhe i fundit.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Ministria e Arsimit në bashkëpunim me UNICEF–in gjatë këtij viti shkollor do të zhvillojnë fushatën “Mësojmë nga ju, ju falënderim”, ku do të merret parasysh kërkesat e nxënësve drejtuar arsimtarëve.
MERAL ISMAILI
