Maqedoni
Qeveria miratoi rebalancin e buxhetit, Besimi: Do të përmbushen të gjitha detyrimet
05.10.2020 15:43
Me rebalancin e ri të cilin e ka miratuar Qeveria për të ardhurat e përgjithshme për vitin 2020...

Me rebalancin e ri të cilin e ka miratuar Qeveria për të ardhurat e përgjithshme për vitin 2020, janë planifikuar 196.4 miliard denarë, shpenzimet 253 miliard denarë, ndërsa deficiti 56.6 miliardë denarë apo 8.4%, tha ministri i Financave, Fatmit Besimi, duke sqaruar rebalancin e ri të arkës shtetërore. Sipas tij, me shkurtimin e kostove joproduktive dhe rialokimin e fondeve në Buxhet do të ruhet përmbushja e të gjitha detyrimeve.
“Parashikimet e MF-së për vitin 2020 janë për rënie ekonomike prej 4.4%.Kjo rënie do të ishte gjithsesi sipas disa vlerësimeve indikative në një vlerë më të lartë nëse nuk do të kishim parasysh edhe impaktin pozitiv në ekonomi që do të kenë masat ekonomike për zbutjen e goditjes nga virusi Korona në ekonomi.”,- deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Ky është rebalanci i dytë që po bëhet këtë vit dhe lind nga nevoja për të zbatuar pakon e katërt të masave për të mbështetur qytetarët, ekonominë dhe stabilitetin makroekonomik, tha Besimi. Nga janari deri në shtatorë 69.1% e të ardhurave sipas Besimit janë realizuar, shpenzimet 70.5%, shpenzimet kapitale 43.9% ndërsa deficiti ka arritur 5.3% nga BPV-ja. Zgjerimi i deficitit prej 10.4 miliardë denarë do të financohet kryesisht me depozitet ekzistuese dhe huazim të brendshëm sqaroi Besimi. Sipas tij me rebalancin e Buxhetit nuk janë paraparë kurrfarë implikimesh lidhur me transferimet sociale dhe pensionet dhe ato do të paguhen rregullisht.
NAIM RAMADANI
