Maqedoni
NP “ujësjellësi dhe kanalizimi“ troket derë më derë
05.11.2014 15:09
Nëpërmjet një aksioni konkret që mban moton “derë në derë”, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi”...

Nëpërmjet një aksioni konkret që mban moton “derë në derë”, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” do të përpiqet t’u ndihmojë qytetarëve të kapërcejnë më lehtë problemet që kanë.
Përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje do të vizitojnë qytetarët e Shkupit nëpër shtëpi dhe do t’u ofrojnë marrëveshje të reja.
Sipas drejtorit të ndërmarrjes, Bojan Vasilevski, kjo do të jetë në favor të të dy palëve.
“Aksioni "derë më derë" është planifikuar të mbahet në të njëjtën kohë në të gjitha komunat, në mëngjes dhe pasdite, me një orar të caktuar dhe pritet të përfundojë në rreth tre deri në katër muaj. Përmes këtij aksioni do të azhurnohen bazat e të dhënave. Në muajt e ardhshëm, të punësuarit e kësaj e ndërmarrje publike do të kenë për detyrë të vizitojnë çdo shtëpi në Shkup, për t’iu ofruar konsumatorëve kontrata të reja. Me këto kontrata do të azhurnohen të dhënat tona, me qëllim që shërbimi ynë ndaj shfrytëzuesve të jetë në çdo kohë”- deklaroi drejtori i NP-së “Kanalizim dhe ujësjellës”, Bojan Vasilevski.
Drejtori i ndërmarrjes publike, Bojan Vasilevski, tha se kjo fushatë do të zbatohet nëpër të gjitha komunat që gravitojnë në qytetin e Shkupit dhe që shfrytëzojnë shërbimet e kësaj ndërmarrje.
Marrëveshjet kanë për qëllim përmirësimin e punës së sistemit të tërësishëm të kësaj ndërmarrje publike, prej së cilës beneficione do të kenë shfrytëzuesit e shërbimeve.
GYLTENE SINANI
