Maqedoni
Padia e Ruskoskës ndaj VMRO-DPMNE-së, vendimi gjyqësor më 13 tetor
05.10.2020 16:47
Gjykata Civile më 13 tetor do të shpalosë akt-vendimin për padinë e prokurores për krim të organizuar dhe korrupsion, Vilma Ruskoska..

Gjykata Civile më 13 tetor do të shpalosë akt-vendimin për padinë e prokurores për krim të organizuar dhe korrupsion, Vilma Ruskoska, për shpifje ndaj VMRO-DPMNE-së, për shkak të spoteve parazgjedhore. Gjatë seancës së sotme gjyqësore u shpalosën dëshmitë materiale, dy video-incizime të VMRO-DPMNE-së të publikuara para zgjedhjeve të fundit parlamentare të titulluara "përrallë kriminale" dhe "Shtand i gënjeshtrave". Pas shqyrtimit të dëshmive, gjykatësi konstatoi se në njërin video-incizim është përdorur figura e Villma Ruskoskës në formë të panosë dhe në tjetrën emri i saj. Pançe Boshkovski - avokat i të paditurve, tha se thelbi rastit është liria e mendimit dhe shprehjes.
“Thelbi i kësaj lënde nuk është se nëse VMRO-DPMNE apo cilado parti do të pësojë dëm material për shkak të gjoja shpifjes. Thelbi i këtij rasti është se nëse do të kemi mendim dhe shprehje kritike në RMV, në pajtueshmëri me standardet evropiane, apo do të kemi demokraci fiktive. Këtu flasim për liri të mendimit dhe shprehjes.”,- tha avokati, Pançe Boshkovski.
Për avokatin e paditëses Ruskoska, Pançe Eftimov, ajo nuk është funksionare publike që kritika në këtë rast të jetë e arsyeshme, siç pretendon pala e paditur.
“Fakt është se janë të lejuara kritika të personave aktivë në procesin zgjedhor, por Ruskoska nuk është person i zgjedhur nga Kuvendi i RMV-së e as që ka marrë pjesë në procesin zgjedhor. Kështu që mbrojtja e palës së paditur në këtë rast, se ajo është kritike e punës së funksionarit publik, nuk është e arsyeshme.”,- tha avokati, Pançe Eftimov.
Sipas tij, qëllimi i padisë nuk është shuma e kërkuar materiale prej 615 mijë denarë, por ajo se personat profesionalë të mos nënvlerësohen pa asnjë dëshmi.
FLORIJE BELULI KAMBERI
