Maqedoni

Shkollat e mesme në Strugë vazhdojnë me bojkotimin e mësimit online

05.10.2020 17:09

Nxënësit e Shkollës së Mesme "Niko Nestor" dhe Gjimnazit "Ibrahim Temo" vazhdojnë të bojkotojnë mësimin online...

Ata thonë se nuk i kanë kushtet për të mësuar në distancë dhe kërkojnë që edhe arsimi të funksionojë si sferat tjera. 
 
"Këtë javë ne vazhdojmë të jemi në bojkotim dhe ka rezultuar pozitiv, sepse shumica e nxënësve jemi në bojkotim të vazhdueshëm. Nëse ministri e arsimit dhe shkencës nuk do t’i marrë për bazë mendimet tona, mendimin e nxënësve, pasi ne jemi shumicë, nuk jemi minoritet, ne duam që zëri i nxënësve të Strugës të trokasë tek dyert e ministrisë.",- tha një nxënëse.
 
"Tani një gjë nuk kuptojmë ne, qeveria mbyll shkollat, kurse kafenetë e qytetit grumbullohen me dhjetëra persona, mbyll shkollat, kurse gjatë verës me mijëra persona shkonin në plazh në qytetet si Struga dhe Ohri. Ne e kuptojmë që mbyllja e lokaleve, restoranteve, dëmton rëndë ekonominë dhe e dimë që shteti ynë kujdeset për ekonominë në vend, mirëpo a nuk e meriton kujdesin e njëjtë edhe arsimi, ata thonë po duke na dhënë një platformë që dështoi në çastet e para të saj.",- u shpreh një nxënës.
 
"Nga muaji mars deri në muajin tetor ka kaluar një periudhë kohore 8 mujore dhe nga kjo periudhë qeveria dhe Ministria e Arsimit në vend që të merreshin me krijimin e kushteve, ata u morën në dy javët e fundit të muajit shtator me një platformë të cilën edhe ata vet e dinë që është e dështuar. Ne kërkojmë rikthimin në bankat shkollore, ne do ta bojkotojmë mësimin deri sa zëri ynë të dëgjohet.",- u shpreh një nxënës.
 
Ndërkohë, nxënësit kanë reaguar edhe për qëndrimin e ministres së arsimit ku tha se ata që e bojkotojnë mësimin do të zëvendësojnë mësimin gjatë verës. Ata kanë dërguar një letër drejt Ministrisë së Arsimit, ku kërkojnë t’i mirëkuptojnë dhe të mos t’i kërcënojnë. 
 
Në ndërkohë procesi mësimor vazhdon të mbahet në shkolla nga klasa e 1 deri në të 3, duke iu përmbajtur të gjitha masave. 
 
ILMIE ZHAKU