Maqedoni

“Z.L.M.”, bojkotojnë vetëm 3% deri në 4% e nxënësve. Mësimi online në Saraj, vështirësi komunikimi nxënës-profesor

05.10.2020 17:58

Me gjithë paralajmërimet për bojkot, shkollat e mesme të Shkupit kanë zhvilluar mësimin online...

Në Gjimnazin “Zef Lush Marku” procesi mësimor në këtë formë po përcillet nga shumica e nxënësve, ndërsa bojkotojnë vetëm tre deri në 4%, informoi ndihmësdrejtori, Besim Limani.
 
Ai theksoi se në takimin që kanë pasur me nxënësit iu ka apeluar që të kenë mendim unik, duke respektuar qëndrimin e Unionit të Nxënësve për afat njëmujor që MASh t’i pranojë kërkesat e tyre.
 
“U dakorduam që së paku të jenë unik që nëse merren vendime joparcialisht, dikush të shkojë në bojkot dikush jo, që në fakt humbja do të jetë në të gjitha anët. Mendoj se duhet të konsultohen me Unionin e Nxënësve në nivel republikan dhe pastaj të sjellin vendime. Përndryshe, këtu në vitet e para dhe të dyta nuk ka mungesë të nxënësve.”,- deklaroi ndihmësdrejtori në “ZLM”, Besim Limani.
 
Edhe në shkollën e mesme në Saraj ishin paralajmëruar protesta, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ndihmësdrejtorja e kësaj shkolle tha se mësimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa probleme, kurse paralajmërimet për protesta i quajti dezinformata. 
 
“Është dezinformatë, ishit edhe ju, patë që nuk ka fëmijë. Tash momentalisht gjithë fëmijët janë të kyçur në mësimin online. Profesorët janë duke i mbajtur ligjëratat. Momentalisht nuk është se ka protesta.”,- u shpreh ndihmësdrejtoresha, Nezrane Rustemi.
 
Për të parë se si po zhvillohet mësimi online, kamera e TVM2 ishte e pranishme në një klasë të kësaj shkolle ku po zhvillohej mësimi i gjuhës gjermane. Nga xhirimi konstatohen vështirësi në komunikim mes nxënësve dhe profesorit. 
 
“Nxënës, dëgjohemi?”,- pyeti profesoresha. 
 
“Nuk dëgjojmë, profesoreshë.”,- u shprehën nxënësit.   
 
Nga UNSHM ditë më parë kanë dalë me qëndrim që mësimi këtë muaj pranojnë të zhvillohet nga largësia dhe po që se gjendja epidemiologjike këtë muaj është e qëndrueshme, atëherë mësimi të jetë i kombinuar.
 
ERSAN PAJAZITI