Maqedoni
Kumanovë, nxënësit vazhduan me protesta. Dimitrievski: Mbështes protestat e nxënësve
05.10.2020 18:16
Edhe ditën e katërt nxënësit e shkollave të mesme të Kumanovës kanë vazhduar me protestat kundër mësimit online...

Edhe ditën e katërt nxënësit e shkollave të mesme të Kumanovës kanë vazhduar me protestat kundër mësimit online, duke kërkuar mësim të kombinuar edhe me prezencë fizike. Në protestat e fundit morën pjesë vetëm nxënësit shqiptarë, por jo edhe ata maqedonas.
“Shkolla është e obligueshme, ky është fakt. Shumica prej këtyre kanë mbërri me shkollë e jo online. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me protesta deri sa të dëgjohen kërkesat tona, mësimi me prezencë fizike duhet të mbahet gjithmonë.”,- tha mes tjerash një nxënës.
Ndërkohë, kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, pranoi një delegacion të nxënësve me të cilët bisedoi për kërkesat e tyre.
“Ne sapo realizuam një takim me kreun e komunës, i cili e mbështeti fuqishëm idenë tonë në shkolla dhe na premtoi se do të jetë urë lidhëse për sigurimin e një takimi me ministren e arsimit”,- tha nxënësja, Ermira Pajaziti.
“Të gjitha qëndrimet e nxënësve që mu prezantuan, do t’ia përcjell gjatë ditës ministres së arsimit, por nëse arrij edhe kryeministrit të Qeverisë. Personalisht mendoj se të drejtën për protestë nuk mundet dhe nuk duhet ta pengojë askush, por duhet të organizohen në pajtueshmëri me ligjin dhe rekomandimet që janë në fuqi.”,- tha mes tjerash kryetar i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Nxënësit paralajmëruan se protesta e radhës do të mbahet ditën e mërkurë, kur pritet sërish të marrin pjesë edhe nxënësit maqedonas.
FATLUM AQIFI
