Universiteti “Fadil Sulejmani” filloi vitin akademik, studentët kundër ligjëratave online

05.10.2020 18:56

Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” filloi vitin akademik 2020/21....

Universiteti  i  Tetovës “Fadil Sulejmani” filloi vitin akademik 2020/21, por këtë radhë më ligjërata të kombinuara për shkak të Covid-19.

Rektori i Universiteti, Vullnet Ameti, tha se dyert e 13 fakulteteve të këtij institucioni hapen për studentët e rinj, duke respektuar protokollet e autoriteteve shëndetësore.

“Sot si asnjëherë më parë e fillojmë vitin akademik me rrethana krejtësisht të reja si pasojë e pandemisë globale Covid-19. Ne sot, duke respektuar në përpikëri protokollet e autoriteteve shëndetësore dhe masat anti Covid, për studentët e rinj i kemi hapur dyert e 13 njësive tona akademike. Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” sot shënon fillimin e ligjëratave të gjeneratës  26 të studentëve dhe kjo është një e arritur historike për kombin tonë.”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.

Edhe pse në kohë pandemie, shumica e studentëve duan të kthehen në ligjërata, sidomos studentët e mjekësisë.

“Është fakt që mësimi fizik është  në të gjitha kohërat më i mirë se mësimi online. Ne në shkollat e mesme vitin e fundit e kemi pasur online po nuk ka pasur asnjë efekt. Ne si nxënës nuk kemi mundur të mësojmë asgjë. Tani drejtimi i mjekësisë së përgjithshme është drejtim që të ketë mësim fizik dhe presim deri në fund të kemi kështu.”,- u shpreh një student.

“Unë jam në mjekësinë e përgjithshme. Pres që gjithçka që është duke shkuar nga e keqja, të kthehet në normalitet, dhe pres që ligjëratat t’i mbajmë në prezencë fizike e jo online. Shpresoj mos të ndalojnë, pasi do të jetë e kotë nëse do mbajmë online.”,- tha një student.

Përndryshe, në komunën e Tetovës bojkot të mësimit vazhdojnë të ketë në shkollën periferik “Rexhep Voka” në Brodec, ku në platformën online nuk është kyçur asnjë nxënës për të ndjekur mësimin. (Visar Sadiki, TVM2)