Covid-19, në Shqipëri katër viktima, në Kosovë dy

05.10.2020 19:10

Katër viktima dhe 144 raste të reja....

Katër viktima dhe 144 raste të reja, është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri, ndërsa janë shëruar edhe 150 të infektuar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 8825 që nga fillimi i pandemisë.  Aktualisht numri i rasteve aktive është 5185.

“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 214 pacientë, 19 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19 mjeku 72-vjeçar nga Skrapari, një 62-vjeçar nga Fieri dhe 2 qytetarë nga Tirana: një 78 vjeçar dhe një 79 vjeçare, me sëmundje bashkëshoqëruese.”,- deklaroi Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy viktima nga virusi Korona në Kosovë. Instituti i Shëndetit Publik raporton se janë konfirmuar pozitivë me virusin e rëndë 41 qytetarë, ndërsa janë shëruar 54 të infektuar dhe 1294 raste janë aktive.

Ndërkohë, nga vendet e rajonit vazhdon të mbetet në krye të listës Greqia, gjatë 24 orëve të fundit janë infektuar me virus 460 persona, ndërsa 5 pacientë e kanë humbur betejën me sëmundjen.

Sipas OBSH-së, 10% e popullatës në të gjithë botën janë të infektuar me COVID-19.

“Kjo ndryshon në varësi të vendit, ndryshon nga zonat urbane, në fshatra, ndryshon në varësi të grupeve. Por, ajo që do të thotë është se shumica dërrmuese e botës mbetet në rrezik. Tani jemi drejt një periudhe të vështirë. Sëmundja vazhdon të përhapet dhe deri tani 10% popullatës në glob janë të infektuar. Shifrat mund te rriten.”,- u shpreh shefi i Njësisë së Krizave të OBSH-së, Majkëll Rajan.

Sipas OBSH-së, më shumë se 760 milionë njerëz janë infektuar deri më tani, bazuar në popullsinë aktuale të botës prej rreth 7.6 miliardë, ndërsa numri i viktimave ka tejkaluar 1 milionëshin. (Sadat Selimi, TVM2)