Maqedoni

Vendimi i Qeverisë - hotelierët: Vullnetarisht do të mbyllemi për 2 javë

06.10.2020 14:46

Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar se do të paraqesë të paktën 16 kallëzime penale ose kundërvajtje me gjoba...

Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar se do të paraqesë të paktën 16 kallëzime penale ose kundërvajtje me gjoba kundër objekteve hotelierike në Shkup, Tetovë dhe Strumicë, pasi gjatë inspektimeve këtë fundjavë, në to u zbuluan shkelje të protokolleve, masave për mbrojtje kundër KOVID-19 dhe tejkalim të orarit të punës. Veprime të tilla të papërgjegjshme ndikuan që Qeveria të miratojë kufizime të reja ndaj hotelierëve dhe muzikantëve, propozim ky nga Komisionin për Sëmundje Infektive. Me masat e reja nuk lejohet prania e mysafirëve këngëtarë, grupe muzikore, DJ në lokale dhe ambientet e objekteve hotelierike që shërbejnë pije dhe ushqim, përfshirë këtu edhe pjesën e restorantit të ambienteve hotelierike për akomodim.  Kufizohet edhe niveli maksimal i zërimit në lokal edhe atë deri në 55 db.

 
Zvogëlohet numri i personave të cilët do të rrinë në një tavolinë në objekte hotelierike nga 12 në 4. Qeveria gjithashtu ka pranuar  propozimin e Komisionit për respektim të rreptë të ndalimit të funksionimit të diskotekave dhe bareve të natës dhe nevojën për të marrë masa më rigoroze nga institucionet kompetente në rast të shkeljes së ndalesës. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka theksuar se rekomandimet për masat e reja bazohen plotësisht në analizën e situatës epidemiologjike dhe sondazhet, dhe se rritja e rasteve me të infektuar të rinj me KOVID-19 është për shkak të mosrespektimit të masave.
 
Nga Oda e pavarur e Hotelierëve mbrëmë kanë theksuar se atyre nuk u duhen protokolle për punë, por në mënyrë vullnetare do t’i mbyllin objektet e tyre për dy javë. Gjithashtu potencojnë se për shkak të dhjetëra lokaleve të papërgjegjshme tani po dënohen 6500 hotelierë me 35 mijë punëtorë. Asociacioni i kafeneve dhe klubeve të natës ka paralajmëruar protestë nesër para Qeverisë. Thotë se do të protestojnë për të fituar ndihmë financiare, diskriminimin ndaj tyre dhe të drejtën për punë.
 
GAZMEND KURTISHI