Maqedoni
Terrorizmi financiar - shfrytëzohen OJQ-të, duhet strategji nacionale
06.10.2020 15:39
Qarkullimi i mjete të mëdha financiare nga njëri skaj në tjetër skaj të botës...

Qarkullimi i mjete të mëdha financiare nga njëri skaj në tjetër skaj të botës, përmes organizatave dhe teknologjive moderne, është problem i cili nuk ka anashkaluar as vendin tonë. Megjithatë, kohëve të fundit në RMV vërehet ulje e organizatave apo grupeve që qarkullojnë mjete për financim të terrorizmit. Por, kjo nuk do të thotë se gatishmëria duhet ulur. Drejtoria për Siguri Kombëtare, Sektori për Zbulim Financiar i ndihmuar nga Sektori Civil, në një debat mbi këtë temë konstatuan domosdoshmërinë e ndërtimit të një strategjie nacionale, që të mund të identifikohen subjektet që qarkullojnë paratë me të cilat financohen veprimtaritë terroriste.
“Për ta parandaluar këtë qarkullim të parave e të cilat bëhen shpeshherë përmes organizatave të ndryshme, duhet të ndërtohet një strategji gjithëpërfshirëse. Një nga trendet për financim të terrorizmit në kohën e fundit, që ka qenë edhe më herët, është keqpërdorimi i sektorit civil, apo organizatat joqeveritare.”,- deklaroi Bllazho Trendafillov nga Sektori për Zbulim Financiar.
“Për të pasur efikasitet në këtë betejë globale duhet një angazhim dhe koordinim i të gjitha institucioneve vendore dhe identifikim i të gjitha subjekteve të cilat janë të izoluara e të cilat ka dyshime se japin ndihmesë logjistike.”,- tha Viktor Dimovski nga Siguria Kombëtare.
Sipas tyre, mekanizmat mbrojtës të cilat i ka caktuar Banka Botërore, janë të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga kjo luftë, por duhet sofistikim i mjeteve të tilla të identifikimit të të gjitha organizatave në të cilat hynë dhe dalin mjete të mëdha, ku shumica e këtyre organizatave funksionojnë në botën lindore dhe në Ballkan. Një strategji të tillë globale janë duke u punuar edhe Bashkimi Europian, ku përmes policisë financiare janë parandaluar shumë aktivitete të tilla.
FITIM KRYEZIU
