Maqedoni

Kuvend, opozita i kërkon materialet në shqip, në kohë

06.10.2020 15:55

Grupi parlamentar i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë zbatimin e mirëfilltë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve...

Grupi parlamentar i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë zbatimin e mirëfilltë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përkatësisht përdorimin e gjuhës shqipe. Koordinatori i këtij koalicioni, Skender Rexhepi, tha se nuk i marrin në kohë materialet në gjuhën shqipe dhe kërkoi sqarim nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pse thërret seancë pa materiale të kompletuara.
 
“Keni lejuar që nga institucioni përkatës, posaçërisht për Ligjin që sapo kaluam, ministri shqiptar i financave të na e sjellë propozim-ligjin në gjuhën maqedonase, ndërsa në gjuhën shqipe të mos e kemi fare. Neni 135, 136 i rregullores, që ju e dini më mirë se unë, thotë se nuk lejohet të pranoni dokumentacione që nuk janë të kompletuara.”,- deklaroi Skender Rexhepi nga ASh-Alternativa.
 
Për këtë arsye opozita shqiptare kërkoi një orë pauzë për sqarime dhe konsultime me kryeparlamentarin. Xhaferi pa sqarim për mungesën e materialit në gjuhën shqipe. 
 
“Nuk është miratuar rendi i ditës, z. koordinator. Sapo është hapur seanca dhe pika, faktikisht çështja që kaloi, kaloi nevoja dhe kërkesa e Qeverisë për miratim të Ligjit me Procedurë të Shkurtuar.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Pak ditë më parë, opozita shqiptare akuzoi edhe kryetaren e Komisionit për Arsim, Zhaklina Llazarevska, se nuk ua siguron deputetëve shqiptarë materialet edhe në gjuhën shqipe, përkatësisht tekstet e projektligjeve për arsim fillor dhe arsim të mesëm. 
 
SHPËTIM NUREDINI