Botë
Covid-19, Shqipëria dhe Kosova me nga tri viktima
06.10.2020 16:53
Tri viktima dhe 158 raste të reja, është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri...

Tri viktima dhe 158 raste të reja, është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri, ndërsa janë shëruar edhe 140 të infektuar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 8965 që na fillimi i pandemisë. Aktualisht numri i rasteve aktive është 5200.
“Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 214 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një 51 vjeçar nga Tropoja, një 74 vjeçar nga Peqini dhe një 80 vjeçar nga Tepelena.”,- deklaroi Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.
Shifra të njëjta viktimash vinë edhe nga Kosova. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri viktima nga koronavirusi në Kosovë. Instituti i Shëndetit Publik raporton se janë konfirmuar pozitivë me virusin e rëndë 34 qytetarë, ndërsa janë shëruar 122 të infektuar dhe aktualisht janë 1203 raste aktive.
OBSh-së: 1 në 10 persona me Covid-19
Greqia edhe sot vazhdon të jetë ne krye të listës nga vendet e rajonit, 8 persona e kanë humbur betejën me Covid-19 dhe janë regjistruar 303 raste të reja. Me këto shifra në Greqi, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë konfirmuar pozitiv 20.142 raste, ndërsa kanë humbur jetën 417 persona. Një në 10 persona anekënd globit mund ta ketë pasur koronavirusin, deklaroi OBSh, por deri tani, 35 milionë vetë janë konfirmuar si të prekur me Covid-19, por sipas OBSH-së, shifra e vërtetë mbërrin në gati 800 milionë. Ekspertët e kanë thënë prej kohësh se numri real i infektimeve është më i lartë nga ai që raportohet zyrtarisht. Ndërsa numri i vdekjeve nga Covid-19 ka tejkaluar njëmilionëshin.
FARIJE DAUTI BAKIJU
