Maqedoni
Hiqet testi PCR në kufi, qeveria miratoi vendimin, hyn në fuqi më 12 tetor
06.10.2020 17:36
Qeveria vendosi lejimin e hyrjes së shtetasve të huaj pa test PCR në Maqedoninë e Veriut...

Vendimi do të hyjë në fuqi më 12 tetor, kanë bërë të ditur zyrtarë qeveritar
“Është sjellë vendim të mundësojmë hyrje të papenguar të shtetasve të huaj nga Republika e Serbisë, Republika e Kosovës, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës, pa dëshmuar vërtetim mjekësor me test negativ PCR. Në këto vende, për të cilat shtetasit e tyre deri tani kishin obligim në hyrje apo gjatë transitimit në vendin tonë të dëshmojnë PCR test negativ, me principin e reciprocitetit është arritur marrëveshje që edhe qytetarët tanë të udhëtojnë në këto vende, pa obligim për të dëshmuar test negativ.”,- ka njoftuar kryeministri, Zoran Zaev, duke shtuar se vendimi është sjellë me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve.
Vendimi i Qeverisë erdhi pas rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, i cili bazohet në analizën epidemiologjike dhe koordinimit mes ministrave të shëndetësisë të shteteve të rajonit.
Një vendim i ngjashëm pritet të sillet edhe nga Qeveria e Kosovës që në mbledhjen e parë të saj. Ministri kosovar i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive të Maqedonisë së Veriut, për hapjen e kufijve për Kosovën pa teste PCR. Këtë ma konfirmoj zëvendësministri i Shëndetësisë, z.Ilir Hasani, gjatë një bisede telefonike.”,- ka bërë të ditur ministri Zemaj.
Deri tani Shqipëria ishte vendi i vetëm i rajonit që lejonte lëvizjen e qytetarëve pa test PCR.
GYLTENE SINANI
