Raporti i progresit, KE: Ka përparime, vazhdoni të zbatoni reformat

06.10.2020 18:21

Maqedonia e Veriut të vazhdojë me reformat në administratë publike....

Maqedonia e Veriut të vazhdojë me reformat në administratë publike, luftën kundër korrupsionit, si dhe në gjyqësor të bëjë përpjekje më të mëdha për zbatim të planit strategjik gjyqësor, porositi eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varheji, gjatë shpalosjes së raport progresit për RMV-në.

Sa i përket fillimit të negociatave aderuese mes BE-së dhe RMV-së, Varheji tha se BE mbetet e angazhuar në mënyrë që negociatat të fillojnë gjatë presidencës gjermane. Ftoi Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

“Mund ta konfirmoj se kjo vazhdon të jetë synimi ynë. Punojmë ngushtë me autoritetet e Bullgarisë  dhe Maqedonisë së Veriut.  Unë kam pasur ministrat e dy vendeve në vizitë dhe ju kam kërkuar të jenë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me fqinjin e tyre, sepse është e vështirë të gjendet zgjidhje e pranuar  për të dyja palët.”,- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji.

Në planin investues, eurokomisioneri Varheji tha se BE ka vendosur të shpenzojë 9.5 miliard euro për Ballkanin Perëndimor, që mbulojnë 10 projekte të mëdha, raportoi sot eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, në shpalosjen e raport progresit dhe planit investues për rajonin. Me një plan me qasje rajonale, BE do të sigurojë fonde për negociata aderuese, infrastrukturë dhe ekonomi.

“Sigurisht ky plan është i ngjashëm me reformat, është e nevojshme që të krijojmë ambient të ri të biznesit në mënyrë që kompanitë të përmirësohen, të funksionojë një sistem i mirë, një sistem i pavarur, sistem i mirë e i pavarur i taksave në mënyrë që kompanitë të shkojnë të investojnë në rajonin e Ballkanit.”,- theksoi eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji.

Komisioni Evropian, përveç rekomandimeve dhe sugjerimeve, ka potencuar edhe pjesën lavdëruese për RMV-në.

Në raport-progres u përshëndet procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke filluar nga Marrëveshja ndërpartiake për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare, formimin e qeverisë teknike si dhe shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të pandemisë Kovid-19. Po ashtu u mirëprit edhe qëndrimi i opozitës e cila ka dhënë mbështetje në çështjet me interes shtetëror dhe në rrugën eurointegruese të vendit. (Nermin Mulaki Fejzullahi, TVM2)