Zgjedhje për parlamentin e ri studentor të USHT-së
Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror i ka nisur procedurat rreth organizimit për zgjedhjen e organeve të reja që do të drejtojnë këtë subjekt....

Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Shaban Arsllani, në një takim me gazetarët ka bërë të ditur se procesi në fjalë zhvillohet në përputhje me të gjitha procedurat e kërkuara ligjore.
“Kryesia aktuale e Parlamentit Studentor në bashkëpunim me drejtuesit e tjerë në të gjitha fakultetet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, angazhohemi fuqishëm që ky proces i filluar tashmë të përmbyllet në mënyrë të rregullt dhe demokratike”- deklaroi kryetari i PS-USHT-së, Shaban Arsllani.
Arsllani tha sot se të gjitha organizimet e tjera studentore të iniciuara nga njerëz që, sipas tij, nuk ja duan të mirën studentëve, janë në kundërshtim me etikën e vetë Parlamentit Studentor.
“Çdo formë dhe organizim tjetër studentor, i ndikuar nga jashtë institucionit për interesa të qarqeve të ndryshme politike, klanore a mediatike, që nuk ua duan të mirën studentëve dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të mbështetura nga trumbetimet e çakorduara të ndonjë mediumi të caktuar, bien ndesh me funksionimin dhe etikën e Parlamentit Studentor. Me këtë dua të potencoj se çdo platformë studentore është e mirëseardhur nëse përmes saj mëtohet mirëqenia akademike e komunitetit tonë studentor, por konkurrimi duhet t’i përmbushë kriteret e përcaktuara me statutin e Parlamentit Studentor dhe me etikën studentore dhe jo të imponohet përmes rrugëve që mëtojnë interesin e grupacioneve të ndryshme politike, klanore a mediatike dhe në asnjë mënyrë interesin e përgjithshëm studentor”- tha Arsllani.
Kriteret e nevojshme për zgjedhjen e organeve të reja dhe legjitime të Parlamentit Studentor të USHT-së, Asllani premton t’i bëjë publike shumë shpejt. (Miftar Emini, TVM2)
