Botë
Erdogan-Merkel, Në fokus Mesdheu lindor dhe Azerbajxhani me Armeninë
07.10.2020 12:30
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka akuzuar BE-në se është nënshtruar presionit dhe shantazhit të Greqisë...

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka akuzuar BE-në se është nënshtruar presionit dhe shantazhit të Greqisë, teksa zhvilloi një bisedë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, nëpërmjet video-lidhjes.
Në deklaratën nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se në bisedë janë trajtuar marrëdhëniet Turqi-Gjermani dhe Turqi-BE ndërsa është diskutuar edhe për zhvillimet rajonale, përfshirë Mesdheun Lindor, Libinë dhe çështjen Azerbajxhan-Armeni. Erdogan në bisedë tha se deklarata e Samitit të Liderëve të BE-së nuk posedonte elemente që do të mundësojnë tejkalimin e problemeve në marrëdhëniet si dhe për përgatitjen e terrenit për dialog dhe bashkëpunim. Ai tërhoqi vëmendjen se pavarësisht qëndrimit të vendit të tij me qëllim të mirë, BE-ja i është nënshtruar presionit dhe shantazhit të Greqisë dhe Administratës greke të Qipros jugore.
Presidenti turk potencoi se interesat e mëdha të Evropës nuk duhet të sakrifikohen për interesat e vogla të disa anëtarëve të Unionit. Erdogan më tej tha se për zgjidhje të përhershme të problemit rreth tokave të okupuara të Azerbajxhanit nga Armenia duhet të zbatohen rezolutat e OKB-së dhe të përmbushen kërkesat e ligjit ndërkombëtar, ndërsa tha se mundësia që ka dalë falë qetësisë së siguruar në terren në Libi nuk duhet të humbet.
