Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Ademi: Pa ligj rrezikohet regjistrimi i prillit

07.10.2020 14:52

Enti Shtetëror i Statistikës nuk e përjashton mundësinë e shtyrjes së regjistrimit të popullsisë...

Enti Shtetëror i Statistikës nuk e përjashton mundësinë e shtyrjes së regjistrimit të popullsisë në prill nëse ligji nuk miratohet deri në fund të muajit. Qeveria duhet ta ridërgojë propozim ligjin në kuvend, pasi i njëjti nuk arriti të miratohet para zgjedhjeve në mungesë të konsensusit më të gjerë. Zëvendësdrejtori i Statistikës, Zirap Ademi, në emisionin debativ “Argument” në TVM2, thotë se pa ligj nuk mund të nisin aktivitetet përgatitore në terren.
 
“Duhet të zgjedhim nëpërmjet konkursit rreth 5 500 regjistrues dhe distribuimi i materialit në terren, këto kërkojnë shumë kohë dhe shumë punë, për atë shkak ne na duhet ligji sa më parë që të mund të arrijmë në kohë me përgatitjet. Nëse deri në fund të këtij muaji të tetorit nuk kalon ligji në parlament, ne do të jemi të detyruar të kërkojmë datë tjetër për shkak se vetë realizimi do të vihet në rrezik të madh.”,- tha zëvendësdrejtori në Entin për Statistikë, Zirap Ademi.
 
Selmani: Të mos shpejtohet, duhet ligj i besueshëm
 
Eksperti i së drejtës juridike, Bashkim Selmani, propozon të mos shpejtohet me regjistrimin, të bëhen ndërhyrje në ligj me qëllim që procesi të jetë real.
 
“Ja, ju do të dilni në terren dhe do të bëni regjistrimin, do t’i gjeni 20 shtëpi mbyllur, si do të veprohet? Nëse kemi pritur shumë, pse duhet të shpejtohet deri në një vit. Ky ligj ka nevojë për ndërhyrje, katër nenet të cilat duhet t’i përcaktojnë mirë ato që të përfshihet elementi i saktë i qytetarëve.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
“Duke pasur parasysh se ne kemi shtëpi të mbyllura komplet, që nuk është asnjë këtu, ne menduam dhe e vetmja mënyrë që e menduam është mënyra online nëpërmjet ueb aplikacionit që të mund të vetëregjistrohen.”,- u shpreh zëvendësdrejtori në Entin për Statistikë, Zirap Ademi.
 
Xhaferi: Mosregjistrimi dëmton ekonominë
 
Eksperti i ekonomisë, Seadin Xhaferi, e shikon si nevojë imediate regjistrimin, pasi nga shtyrja ka humbje ekonomike.
 
“Aty shumë humb edhe shteti, humb nga taksat të cilat duhet t’i paguajë, në anën tjetër nga planifikimi, gjithashtu edhe nga eksporti i mallrave, ngase të gjithë këto forma të bashkëpunimit bëhen në mes të kompanive të shteteve fqinje, kurse Maqedonia ka resurse edhe natyrore edhe njerëzore që të jetë në një pozicion shumë më të mirë.”,- theksoi profesori universitar, Seadin Xhaferi.
 
Regjistrimi i radhës planifikohet të bëhet nëpërmjet metodës së kombinuar, që nënkupton daljen në terren dhe shfrytëzimin e regjistrave administrativ, në formë elektronike dhe jo në letër. Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe amvisërive është bërë në vitin 2002.
 
MERAL ISMAILI