Maqedoni
Varheji: Kuvendi të shpejtojë zbatimin e reformave
07.10.2020 15:24
Komesari evropian për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së, Oliver Varheji....

Komesari evropian për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së, Oliver Varheji, ftoi Kuvendin që të vihet në lëvizje dhe të përshpejtojë zbatimin e reformave. Por përshpejtimi nuk nënkupton shkurtim të procedurave dhe pezullim të debatit. Përkundrazi, Kuvendi duhet të luaj rol konstruktiv dhe gjithëpërfshirës si dhe të koordinojë veprimtarinë me Qeverinë, porositi Varheji.
“Kërkova përkrahjen e kësaj shtëpie që të zbatojë reformat me shpejtësi më të madhe. Kjo shtëpi si forum primar për debate konstruktive dhe inkluzive duhet të luajë rolin kyç. Me shqetësim, pamë rritjen e shfrytëzimit të procedurave të shpejta gjatë miratimit të ligjeve të reja. Ju inkurajoj që të siguroni konsultime të duhura dhe debate demokratike me procedura të rregullta. Kjo shtëpi ka rolin kyç edhe kur bëhet fjalë për sigurimin e pavarësisë nga pushtetet e tjera, përmes përforcimit të mbikëqyrjes mbi pushtetin ekzekutiv dhe shërbimet e zbulimit. Me rëndësi është që të keni koordinim dhe planifikim të punës mes Qeverisë dhe Kuvendit. Duhet të dini se cilat ligje dhe raporte lidhur me BE-në ju afrojnë. Të planifikoni drejtë punën e komisioneve dhe seancave plenare si dhe të përmbushni rolin tuaj me përkrahje në fazën e bisedimeve.”,- deklaroi komisari për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së, Oliver Varheji.
Sipas Brukselit, vendi ka shënuar rezultate të mira në sundimin e shtetit ligjor përfshi edhe gjyqësinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, duhet të mbajë këtë ritëm madje edhe të përforcojë luftën kundër krimit. E gjithë kjo duhet të ndodh me transparencë të plotë tha eurokomisari Varheji, në paraqitjen e tij para deputetëve.
SHPËTIM NUREDINI
