Emri, Nimic mbledh palët më 12 nëntor
Ndërmjetësi për emrin Methju Nimic ka konvokuar ruand të ri të bisedimeve mes përfaqësuesve të dy vendeve më 12 nëntor në Nju-Jork.......

Në takim do të marrin pjesë ambasadori i Maqedonisë, Vasko Naumovski dhe diplomati grek Adamantios Vasilakis. Sipas informacionit të publikuar nga Kombet e Bashkuara, takimet do të mbahen në selinë e ndërtesës së KB-së, me ç'rast Nimici do të ketë takime të ndara me Naumovskin dhe me Vasilakisin, e pastaj edhe bisedime të përbashkëta.
Qëllimi i takimit, sipas kumtesës së Kombeve të Bashkuara është që të vazhdohen përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të pranueshme për kontestin me emrin.
Bisedimet e fundit janë mbajtur në Nju-Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, ku ministri i Maqedonisë i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki u takua me kolegun e tij grek Evangelos Venizelos. Pas këtij takimi, Poposki deklaroi se në Greqi edhe më tej nuk ka interes që në mënyrë aktive të punohet në zgjidhjen e kontestit.
