Problemet në shkolla, Ganiu: Bëmë sa mundëm, duhet ndihmë nga pushteti qendror
Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu....

Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se pushteti lokal nuk mund të përballet i vetëm me problemet që shkaktoi pandemia me sistemin arsimor.
Kërkon ndihmë edhe nga pushteti qendror. Komuna që drejton ka intervenuar për të përforcuar rrjetin e internetit dhe ka siguruar kompjuterë, por më shumë se kaq, nuk ka ingerenca.
“Kemi bërë intervenime në të gjitha 10 shkollat fillore duke përforcuar shërbimet e internetit dhe ajo kosto është diku mbi 20 mijë euro. Kemi siguruar mbi 240 kompjuterë nga buxheti i komunës. Investime kapitale nuk i ka si ingerencë komuna e Çairit, por i ka MASh. Ata ditët në vijim duhet të vendosin për fëmijët të cilët nuk kanë një teknologji të tillë. E kemi zgjedhur modulin e tretë, i cili është nga klasa e parë deri në të tretën me prezencë fizike, kurse tjetra me mësim online. Në ato vende ku nxënësit nuk kanë teknologji, shkollat janë të detyruara që materialin ta printojnë dhe t’u dërgohet në formë fizike që t’i kenë nëpër shtëpi si mësime, por edhe ne duhet të jemi korrektë se të gjitha ato mangësi që shfaqen nuk mund t’i mbulojë vetëm pushteti lokal, por duhet ndihmë nga pushteti qendror.”,- deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. (Fitim Kryeziu, TVM2)
