Maqedoni
Mësimi online, duhet zgjidhje për nxënësit me nevoja të veçanta
07.10.2020 17:53
Mësimi online çdo ditë nis me probleme të reja, jo vetëm për mësuesit....

Mësimi online çdo ditë nis me probleme të reja, jo vetëm për mësuesit, por edhe për prindërit që duhet të asistojnë fëmijët që nuk kyçen dot në platformë. I vështirë është procesi sidomos për një kategori të veçantë fëmijësh, ata me nevoja të posaçme. Kjo kategori, jo vetëm që kanë shumë vështirësi për t’u kyçur në platformë, por edhe kur arrijnë të kyçen, nuk munden të ndjekin mësimin online, ku përqendrimi i tyre në ekran duhet të jetë shumë i gjatë në kohë. Mësimdhënësja, Hava Doka kërkon që të paktën këtyre fëmijëve t’u lejohet të jenë të pranishëm fizikisht teksa ata u ligjërojnë të tjerëve online.
“Kam nxënës me kërkesa të veçanta dhe ai nxënës nuk mund të përcjellë mësimin online, sepse këtu ka shumë kërkesa. Prandaj jam e mendimit se ata nxënës të vijnë me prezencë fizike, pasi janë 1, 2 apo 3 nxënë që ta kemi të lejueshme me prezencë, me qëllim që të ju ndihmojmë, sepse përndryshe asessi nuk mund të ju ndihmojmë në qoftë se nxënësi vjen 1 herë në muaj me 1 ose 2 orë çka do të mësojnë ata.”,- deklaroi mësimdhënësja, Hava Doka.
Përdorimi i Microsoft Teams, edhe nxënësit dhe arsimtarët, administratorë
Mësuesit e tjerë kanë probleme të tjera po kaq të rëndësishme. Puna me platformën Microsoft sipas mësueses së klasës së 5, Suzana Jakupi, po shkakton probleme të tjera, pasi kjo platformë u mundëson nxënësve të kenë komandën e kyçjeve apo largimit të anëtarëve në grup.
“Nxënësi mund ta ndalë zërin e arsimtarit, mund ta ndalë kamerën e arsimtarit, mund të bëjë screen dokumentet e tyre edhe largojnë shokët nga grupet. Ballafaqohemi me të vërtetë me probleme të shumta.”,- theksoi mësuesja, Suzana Jakupi.
Mësuesit ankohen se në kushte kur jo të gjithë kanë dhoma të veçanta për fëmijët, shpesh ndodh që në orë të “kyçen edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, madje në shumë raste dëshmitarë të mësimdhënies bëhen edhe familjarët e tjerë të fëmijëve.
REJHANE BUSHI METAJ
