Maqedoni

Dita Ndërkombëtare e të Pastrehëve, Kryqi i Kuq: Numri i të pastrehëve po rritet

07.10.2020 18:04

20 vite isha në burg dhe mbeta në rrugë i pa strehë, kështu e fillon rrëfimin e tij të trishtë 48 vjeçari....

20 vite isha në burg dhe mbeta në rrugë i  pa strehë, kështu e fillon rrëfimin e tij të trishtë 48 vjeçari, Kamber Bajrami, i cili  ka probleme të shumta shëndetësore dhe nuk mund të gjejë punë.
 
“Kam familje, por gjatë kohës që isha në burg gjithçka kanë shitur edhe shtëpinë që e kisha në lagjen e  Tophanës, e kanë shitur. Nuk kam asnjë të ardhur, kam problemë shëndetësore dhe jam operuar disa herë. Kërkoj punë kudo por askush nuk më pranon.”,- tha i pastrehuari, Kamber Bajrami.
 
9 vite pa kulm mbi kokë është edhe Ivani.
 
“Ne si persona me nevoja të veçanta duhet të kemi dokument që përcakton diagnozën dhe të vendoset ligj i posaçëm për të më ndihmuar, nuk jemi të aftë për punë dhe nuk kam strehë. Tani vjen dimri dhe erdha këtu që mos ngrijë nga të ftohti.”,- theksoi i pastrehuari, Ivan Jakimov.
 
Edhe 150 persona e frekuentojnë rregullisht punktin e të pastrehëve dhe i shfrytëzojnë shërbimet në “Mumin Potok”. Nga Kryqi i Kuq thonë se numri i të pastrehëve çdo vit vjen duke u rritur
 
“Këto 20 vitet e fundit askush nuk e ka marrë përsipër të hulumtojë numrin e saktë të të pastrehëve, të shënojmë të dhënat e sakta, por përafërsisht është diku rreth 300 numri I të pastrehëve, dhe shifra shkon duke u rritur vazhdimisht çdo vit. Në Mumin Potok janë 150 të pastrehë, por numri i atyre që nuk kanë qasje deri këtu është shumë më i lartë.”,- theksoi Dragana Llazarovska nga Kryqi i Kuq.
 
Ditën Botërore të të Pastrehëve, Kryqi i Kuq e shënoi duke iu dhuruar pako me ushqim dhe mjete higjienike të pastrehëve. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, në botë ka më shumë se 100 milion njerëz të pastrehë, ndërsa një miliard njerëz jetojnë në banesa të papërshtatshme.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU