Raporti i KE-së, Ramadani: Koha të përforcohen reformat

07.10.2020 18:45

Raporti i fundit mbi përparimin e RVM-së, është i balancuar....

Raporti i fundit mbi përparimin e RVM-së, është i balancuar dhe pasqyron realitetin, vlerësojnë njohësit e çështjeve evropiane. Analisti, Ismet Ramadani, thotë se tani është koha e duhur që reformat të përforcohen në të gjitha fushat e me theks të veçantë në sundimin e së drejtës. 

“Paralajmërimi se duhet të bëhet një farë mini veting në gjyqësor dhe prokurori do t’i detyrojë të gjithë ata që janë drejtpërsëdrejti në këtë drejtim të vetëdijesohen sepse nuk duhet të ketë tolerancë më tutje sa i përket sanksionimeve dhe marrjes në përgjegjësi të atyre që janë kompetent dhe përgjegjës në ato institucione. Sepse po vjen një fazë ku nuk mund të bëhen kalkulime, improvizime, t’i iket pra asaj që kërkohet nga BE-ja.”,- tha analisti, Ismet Ramadani.

Dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, Memedi: Nuk do të pengojnë procesin e integrimit

Raporti i KE-së vuri në dukje edhe raportet e mira ndërfqinjësore. Politologu, Deniz Memedi, është optimist se dallimet midis Shkupit dhe Sofjes për çështjet e identitetit nuk do të pengojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut.

“Periudhën e fundit kemi disa mosmarrëveshje të vogla sa i përket çështjes së elementeve historike dhe të gjuhës. Mirëpo kjo është problem i historianëve dhe komisioneve. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë problem eventual që Maqedonia t’i fillojë negociatat në muajin dhjetor kur edhe përfundon liderimi i Gjermanisë me  Unionin në gjashtëmujorin e fundit të këtij viti.”,- theksoi politologu, Deniz Memedi.

Sulimani: Vërejtjet për median, nxitje për më shumë punë

Ndërkohë, vërejtjet e Komisionit Evropian për mediat, gazetari Xhenis Sulimani, i vlerësoni si nxitje për më shumë punë, sidomos tani që lufta për të qenë i pari në lajm është më dinamik.

“Vetërregullimi nuk është censurë e as autocensurë, por ka të bëjë me vendosjen e parimeve nëse rregullimi nuk bëhet nga vetë gazetarët, dështimi është i garantuar. Çështja e dytë pas vetërregullimit është standardi i gazetarëve. Gazetarët ende përballen me kushte minimale, problem me pagat dhe problem me mjedisin ku punojnë.”,- theksoi gazetari, Xhenis Sulimani.

Raporti i KE-së konkludon se Maqedonia është mesatarisht e përgatitur për sa i përket aftësisë së saj që të marrë përsipër detyrimet që vijnë nga anëtarësimi në BE. (Sanije Kasami, TVM2)