Mësimi online, sërish protesta të nxënësve në Tetovë

07.10.2020 19:17

Vazhdojnë protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Tetovë....

Vazhdojnë protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Tetovë kundër mësimit online. Ata e quajtën të dështuar platformën nacionale, madje akuzuan sërish Unionin e Shkollave të Mesme që vendosi t’i japë shans deri në nëntor kësaj platforme.

Nxënësit ankohen për rënien e shpeshtë të sistemit dhe pamundësinë për t’u kyçur në ligjërata.

“Ne jemi thjesht nxënës që kërkojmë prani fizike në shkolla, pasi që shumë lokale e objekte në Maqedoni funksionojnë thjeshtë pa probleme.”,- tha një nxënës. 

“Ka shumë probleme. Unë personalisht kam hyrë në mësim online dhe them se nuk është efikas dhe besoj gjithë nxënësit e dinë.”,- theksoi një nxënëse. 

Bojkot të mësimit vazhdon do të ketë edhe në shkollat fillore në malësinë e Tetovës, pasi shumë nxënës shkaku i rrjetit të dobët të internetit nuk mund të kyçen në platformën online.

Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të rishqyrtojë edhe një herë kërkesat e tyre për të filluar mësimin me prezencë fizike, që sipas drejtuesve të shkollave u plotësojnë të gjitha kushtet. (Visari Sadiki, TVM2)