1.6 milionë receta për qetësim
Jeta dinamike, e stërngarkuar dhe me plotë stres ndikon që në shtetin tonë, me 2 milionë banorë, të përshkruhen 1.600.000 receta për marrjen e tabletave për qetësim........

Qytetarët marrin tableta për qetësim pa nevojë dhe pa recetë nga mjeku dhe kjo jo vetëm që ka efekte negative në organizëm, por krijon varshmëri.
Tabletomania është dukuri e përdorimit të paarsyeshëm të tabletave. Mjekët thonë se numri i tabletomanëve shkon gjithnjë në rritje dhe ata sugjerojnë që një bisedë me një anëtar të familjes zëvendëson një pako me diazepam.
Sipas psikiatrit Haxhihamza, pasi që tek ne biseda me psikologun ose psikiatrin është e stigmatizuar, pra pacientët ngurojnë që të zhvillojnë bisedë, atëherë mbrojtësi më i fortë nga tabletat anti-depresive dhe qetësuese është muri familjar.
“Unë shpeshherë pacientëve të mi, të cilët i shoh se ngurojnë pse kanë ardhur te psikiatri, u them mirë, nëse të dhemb këmba do të shkosh te kirurgu, pse, sepse të dhemb. Te unë vjen sepse e ke shpirtin e thyer, vallë a më pak dhemb shpirti i thyer se këmba e thyer? Unë jam i sigurt se shpirti i thyer dhemb më shumë. Modeli i familjes së centralizuar ende është shumë më i fortë në pjesën perëndimore, të themi në familjet shqiptare, ndërsa në Maqedoninë Lindore ky model i familjes nuk është aq i shprehur. Ky model normal i ka dobësitë e veta, mirëpo i ka edhe anët e mira. Në këtë rast do të kisha thënë se njerëzit kërkojnë më tepër mbështetje në familje dhe një bisedë e mirë me një anëtarë të familjes e zëvendëson një kuti diazepam”- u shpreh psikiatri, Kadri Haxhihamza.
Sipas sociologut, Metush Sulejmanit, situata e vështirë ekonomike dhe varfëria e skajshme janë indikatorët më të mirë për gjendjen shëndetësore të qytetarëve. Gishtin e fajësisë për rritjen alarmante të numrit të personave që marrin tableta anti-depresive dhe qetësuese, Sulejmani e drejton ka shteti e vendi.
“Maqedonia duhet të bëjë edhe më tepër në këtë drejtim, të bëjë zbutjen e varfërisë ekstreme te qytetarët, sepse në një anë kur ajo më ka mundësi të derdhë mjete për sende të panevojshme, mund të sanojë edhe këtë lloj problematike”- tha sociologu, Metush Sulejmani.
Institucionet kompetente druajnë se numri i personave që marrin tableta për qetësim është ende më i madh, nëse merren parasysh edhe ato që janë dhënë pa receta të mjekut. (Sanije Kasami, TVM2)
