Covid-19 në rajon, 4 viktima në Shqipëri, 3 në Kosovë

07.10.2020 20:16

Katër viktima dhe 162 raste të reja....

Katër viktima dhe 162 raste të reja të të infektuarve me virusin korona janë regjistruar gjatë 24 orëve në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se janë shëruar 150 persona, në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 231 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar. Kosova ka raportuar  për 49 raste të reja dhe 3 viktima në  24 orët e fundit.

Shërbimi Spitalor i Kosovës  ka njoftuar se dy pacientë janë në respiratorë, 13 tjerë janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, 99 të tjerë janë në terapi oksigjeni.

Shifra rekorde të të infektuarve

Në botë  SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave. Numri i të infektuarve në 24 orë arriti në 44.973.  Edhe Gjermania ka raportuar një rekord prej 2828 rastesh të reja.

Në Itali, në 24 orët e kaluara  u raportuan 2677 të infektuar dhe 28 viktima. Në Francë  janë regjistruar 10.489 raste të reja dhe 66 viktima. Në Britaninë e madhe u  regjistruan  14542 raste vetëm sor.

Shifrat janë në rritje edhe në Belgjikë dhe numri i të shtruarve në spitale  po rritet. Rekord rastesh edhe në Republikën Çeke, me 4457 raste të reja pozitive në një ditë. Edhe në Holandë janë shënuar 5000 raste për 24 orë me ç’rast u  paralajmëruan  kufizime të rrepta nëse numri i të infektuarve rritet me një tempo të tillë. (Flutura Latifi, TVM2)