Maqedonia, urë kalimi për Evropë
Refugjatë nga vendet afriko-aziatike, vazhdojnë të shfrytëzojnë Maqedoninë si vend më të përshtatshëm deri në destinacionin e ardhshëm evropian......

Qendra e Azilantëve vazhdon të strehojë çdo ditë refugjatë. Këtu i gjen të gjithë, burra e gra, fëmijë e familjarë.
TVM-2 vizitoi Kampin e Azilkërkuesve, në të cilin vetëm sivjet janë regjistruar 900 persona. Edhe sot mbërriti një grup i ri refugjatësh. 4 mijë azilkërkues janë strehuar këtu që nga fillimi i funksionimit të qendrës, por shpesh ata largohen menjëherë, madje pa i lajmëruar fare autoritetet e kampit.
“Të gjithë azilkërkuesit kanë mundësi këtu të jenë të angazhuar dhe të kyçur në shumë projekte të ndryshme, të cilat mundësojnë punësim të përkohshëm me kompensim në para për refugjatë, mirëpo një pjesë e madhe e tyre nuk janë të interesuar fare të punojnë në Maqedoni. Interesimi i tyre është drejt vendeve evropiane”- tha zëvendësdrejtori i Qendrës së Azilanëve, Atanas Apostollovski.
Qendra e Azilantëve në kryeqytet ka kapacitet të strehojë rreth 150 persona. Atyre u sigurohet ushqim, veshmbathje, internet dhe lëvizje e papenguar gjatë gjithë ditës. Por, këto kushte nuk janë tërheqëse për këta dy persona nga Siria dhe Pakistani. Ata çdo natë shpresojnë se e nesërmja do t’i gjejë në ndonjë vend evropian. Të ardhmen e tyre nuk e shohin në Maqedoni.
“Qëndroj në Maqedoni si transit, por mund të them se vendi juaj është shumë i mirë. Nuk besoj se do të qëndroj shumë, maksimum 2 ose 3 ditë, më pas me siguri do të shkoj në Suedi”- u shpreh një refugjat nga Siria.
“Unë dua të jetoj këtu 9 muaj dhe kam dëshirë t’i marr edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, mirëpo në Qendrën e Azilantëve nuk ka shumë kushte të mira, shpeshherë ka vjedhje dhe në disa momente objekti është i stërngarkuar me azilkërkues”- tha një refugjat nga Pakistani.
Shumë pak prej azilkërkuesve pajisjen me të drejtën për azil, thonë nga MPB-ja.
“Gjatë periudhës së vitit 2014, në Republikën e Maqedonisë janë dorëzuar gjithsej 857 kërkesa për pranimin e së drejtës për azil, vetëm 10 persona të Sirisë këtë vit janë pajisur me këtë të drejtë”- theksoi Marija Jakovlevska nga MPB.
Ligji për Azil në Maqedoni është në mbrojtje ndërkombëtare dhe i njëjti mundëson të pranohen refugjatët, të kenë mbrojtje të garantuar. Kushti kryesor për azil është që personi të ketë status të rrezikuar në vendin e prejardhjes dhe të ekzistojë dëshmi për shkak të së cilës nuk mund të kthehet në vendin e tij. (Rexhep Qamili, TVM2)
